Saturday, January 12, 2013

Unë e njihja Drilonin - Nga Shpendi GJANA


Unë e njihja Drilonin

Nga Shpendi GJANA

Kam disa ditë që përjetoj dhimbje nga humbja kushëririt tim, Drilonit, që ndërroi jetë pak ditë më parë tragjikisht në fshatin Homesh, të komunës Shupenzë në Bulqizë. Akoma s’kishte mbushur të 17-at (dhe jo 22 siç u tha në media) dhe thuajse ishte në kohën për tu plotësuar dhe për të kaluar në moshën madhore. Njeri i drejtë dhe me moral thuajse të plotësuar që njihej nga të gjithë me buzëqeshjen që i ngjante të atit, të cilin e humbi 3-4 vjet më parë po tragjikisht nga skamja.
Ai vinte nga një familje tejet e varfër që të ardhurat mujore i ka nga mëshira e Zotit. Vedati, vëllai i madh i Drilonit, 22 vjeç, kishte 4 ditë që ishte nisur për Itali për të kërkuar një rrugëdalje nga skamja e kaq viteve.
E nis nga vetja, nuk e ndihmuam dot Drilonin dhe familjen e tij. Nuk e penguam dot që ajo familje të mos e humbiste dhe personin e dytë, dhe të linte edhe 5 pjesëtarët e tjerë pa trauma të forta, ku vajza më e vogël që është vetëm 8 vjeçe ka qenë dhe dëshmitare edhe e vdekjes tragjike të të atit me shpërthim eksplozivi...
Pjesëtarët e afërt të familjes që i bënë respektin e fundit kanë parë që trupi i Drilonit ishte plot me shenja dhe dukej qartë se qe dhuruar keqas. Ky presion psikologjik dhe fizik prej 18 orësh nga policë tejet të papërgjegjshëm që ndyjnë uniformën e policit ka bërë që Driloni i drejtë të mbushë faqe të tëra shpjegime. E sikur të mos mjaftonte është thirrur edhe ditën e dytë për 5 pulat e detit. Drejtësia e këtij vendi është për tu “admiruar”, gjenden edhe personi që vjedh 5 pula deti, mendoni se në “ç’Parajsë” jetojmë. Mirë që e gjejnë fajtorin, por e gjejnë gabim! Megjithatë është vërtetuar krejtësisht pafajësia e djaloshit të ndjerë, por që tashmë është tepër vonë.
Aq djalë i turpshëm që skuqej edhe në biseda normale ishte Driloni, por jemi tepër vonë. Tani të shohim se si do ta gjejë udhën e drejtësisë kjo çështje, që edhe po ta gjejë do të jetë tepër vonë për familjen e djaloshit.
                Po ky s’është rasti i vetëm. Ne si shoqëri, kemi në mendje aq shumë fotografi të shëmtuara dhe të këqija të rasteve të tilla, saqë  shtyhemi të mendojmë se lumturia dhe mirësia kanë mbetur jashtë nesh ngaqë e keqja është ulur këmbëkryq dhe ka marrë të drejtën e fjalës në shumë aspekte.
Një bombardim i jashtëzakonshëm psikologjik e kulturor ka bërë që tashmë që bërthama familjare të çorientohet, e individët kanë nisur të tregojnë sjellje nga më të çuditshmet. Më thoni a keni kaluar ndonjë javë të qetë dhe pa habere vrasjesh e përdhunimesh?! Më thoni ju lutem a keni bërë gjumë të qetë qoftë një ditë në javë? Pra, çdo kallëp që fatkeqësisht na e servir edhe media me shumë zell e që duket që ka pasoja shumë të mëdha në shoqëri, lë gjurmë të parikuperueshme ose shumë të vështira për tu rikuperuar me në mendjen e secilit prej nesh.
                Në themelin e shumë prej këtyre rasteve të krimeve shtrihet problemi i theksuar ekonomik dhe moral, probleme shpirtërore dhe dalje nga boshti i stabilitetit shoqëror. Bëjmë gabimin më të madh që çdo problem s’e nisim nga vetja, bëjmë shumë gabim që kërkojmë çdo zgjidhje të na vijë nga të tjerët. Ta provojmë një herë të ndihmojmë njerëzit në gjendje të mjeruar si nga ana ekonomike ashtu dhe nga ajo psikologjike, por akoma s’ia kemi bërë Bismil-lah!
A nuk duam një mjedis të lumtur, të dashur dhe gjithëpërfshirës? A nuk duam që ai i varfëri të mos detyrohet të grabisë e të kryejë krim? E pra, le të ndihmojmë secili atë që ka përreth! Le të duam për të tjerët atë që duam për veten. Le ta nisim dhe t’i them të keqes “NDAL” që në embrion. Secili është i përgjegjshëm për secilin. Sidomos ata që kanë mundësinë e kanë për detyrë ta rehatojnë këtë shoqëri, e të mos i mbajnë milionat e qelbura në banka për të siguruar edhe nipërit e nipërve, me frikën se nesër Zoti s’do t’ju japë riskun përkatës. Që Drilonët të jetojnë, madje të jetojnë me dinjitetin e tyre, e të lumtur...


Friday, June 1, 2012

BESUESHMËRIA NDAJ MEDIAVE - Përgatiti: Shpendi Gjana

NJË PANORAMË E MEDIAVE NË SHQIPËRI
Aktualisht numri i kanaleve televizive private që operojnë në Shqipëri janë 75, nga të cilët dy janë me licenca kombëtare (Top-Channel dhe Klan), një kanal shtetëror që operon kombëtarisht – TVSH, tre platforma private dixhitale satelitore (Tring TV, Digitalb dhe Supersport). Ndërsa kanale Radiofonike 58, gazeta të përditshme 34 (ditore dhe javore, përfshirë edhe gazetat sportive dhe ato magazinë), numri i revistave 27(javore, mujore, tremujore dhe gjashtë mujore).[1] 

Kanalet Televizive: Nëse do të na lejohej të bënim një vlerësim, së pari kanaleve televizive, sigurisht që në krye të klasifikimit të tyre do të vendosnim kanalet që kanë investuar më shumë në fushën e medias, ata kanale që kanë sjellë inovacione në Shqipëri dhe po vazhdojnë të mbajnë në dorë vëmendjen më të lartë të publikut me programe e programacione nga më të shtrenjtat në Shqipëri. Në këtë pikë, kanalin shtetëror do të duhej ta trajtonim veçmas, pasi ekzistojnë shumë ndryshime nga ato private. Kur bëhet fjalë për televizionet më të mira në vend çdokujt do t’i shkonte në mendje direkt dy kanalet Top Channel (Top Media) dhe Klan, ku të parin do ta veçonim për shkak të investimeve strategjike dhe kompleksi strukturor që ka themeluar pak e nga pak që nga 14 Shkurti 1998 me Top Albania Radion dhe 30 Korriku 2001 me Top Channel, e deri më tani.
Ndërkohë Klan TV megjithëse u themelua para Top Channel, pra në 1997, nuk arriti të kapë ritmin e këtij të fundit. Vihet re fare qartë që këto dy kanale televizive janë kapur në një konkurrencë të ashpër me transmetime sfiduese. Emisioni Opinion i transmetuar në Klan të enjteve sfidohet nga Emisioni i Sokol Ballës Top Story; Të dielën emisionet ‘E Diell’ dhe ‘E Diela Shqiptare’ përkatësisht në Top Channel dhe Klan tentojnë të rrëmbejnë shikues nga njëra-tjetra. Wake up – Aldo Morning Show; ‘Pasdite në Top Channel’ dhe ‘Takimi i Pasdites’ nga Rudina Magjistari po ashtu janë në konkurrencë.
Në fillimet e vitit 2012 në çdo kanal shohim një përpjekje serioze për prodhim programesh, që çdo ditë e më shumë po e shton ritmin, ndërkohë që kohët e fundit ka nisur edhe prodhimi i telenovelave shqiptare, megjithëse në investime modeste.
Ndërkohë, kanale të tjera si Vizion Plus, AS TV apo ish-Alsat që tashmë është i ndarë nga ai i Maqedonisë dhe i Kosovës pas vdekjes së Vehbi Velias në 2009-n, TV Koha, etj. ruajnë një status të mesëm në krahasim me tregun mediatik televiziv në Shqipëri.  
Shumica e kanaleve që operojnë në tregun mediatik në Shqipëri janë me karakter ‘Informativ dhe Argëtues’, disa të tjerë vetëm ‘Informues’, disa të tjerë vetëm ‘Argëtues – muzikorë’ dhe disa të tjerë me karakter ‘Sportiv’.
Format mjaft të veçantë  televizioneve shqiptare i shtoi News 24, që shumë shpejt e theu opinionin e çekuilibruar madje herë – herë edhe tallës, duke shpalosur rëndësinë e lajmit në kohë reale. Kanale të tilla si News 24, Tv Nesër  apo Ntv, Ora News TV, Top News dhe së fundmi ABC News janë të prirur drejt konkurrencës mes tyre për lajmin më të shpejtë me gazetarë në të gjithë vendin si dhe jashtë Shqipërisë.
Formati i SCAN TV, një kanal i ri i bazuar mbi sektorin financiar dhe ekonomik, doli  me një format unik në Shqipëri, i ngjashëm me kanalin prestigjioz amerikan CNBC, madje edhe në logo. Ndërsa kategoria tjetër e kanaleve që tërheq vëmendje të bollshme të masës janë ata muzikorë si: Supersonic, BBF, Tirana 2000, My Music, Club TV, etj. 
Në bazë të çmimeve të spoteve publicitare në televizionet më të shikuara kemi një radhitje të tillë:

MEDIA
CMIM ZYRTAR/1"
CMIM ZYRTAR/SPOT 30"
Top Channel
14,0 €
420,0 €
TV Klan
20,0 €
600,0 €
Vizion Plus
13,0 €
390,0 €
TVSH
4,0 €
120,0 €
News 24
5,5 €
165,0 €
Ora News
7,0 €
210,0 €
ABC News
5,0 €
150,0 €
Albanian Screen
10,0 €
300,0 €


Tabela lart: Çmimet e spoteve për sekondë.
Shënim: (Për bazë është marrë çmimi në një bllok standard publicitar në Prime Time 19:00 - 22:00 – nga një agjensi publicitare)

Tabela lart: çmimet e spoteve televizive për 30 sek.
Pra siç shihet edhe nga tabela kanali televiziv TVSH, pavarësisht se është televizion kombëtar dhe ka shtrirje shumë më të gjerë se Vizion Plus, News 24, Ora News, ABC News apo Albanian Screen, çmimi i spoteve është më i ulët. Sigurisht që kjo ka një domethënie. E para, ky nuk është një televizion komercial; e dyta, edhe vetë Kanali shtetëror TVSH është në dijeni të shikueshmërisë së saj, që në fakt lidhet ngushtë edhe me besueshmërinë e një medie. Shikuesi ndjek dhe sheh një kanal që në radhë të parë e beson dhe më pas i plotëson dëshirat dhe nevojat me programet që ka. TVSH, me daljen e kanaleve private ka humbur ndikimin dhe pjesën më të madhe të shikuesve të saj. Pavarësisht se edicionet e lajmeve në TVSH janë shumë më të fryra në informacion se kanalet e tjera private që mbahen me më pak gazetarë dhe staf, shikuesit e këtij kanali nuk e ‘justifikojnë’ këtë mund. Dinamika e këtij kanali nuk jam i mendimit se ka rënë, por vihet re që ka mbetur shumë më pas dinamikave të medias private që për efekt të faktorit komercial i duhet të punojnë shumë për të shkuar drejt ‘vendit ideal’ dhe për të kapur pjesë nga torta e madhe e reklamave. Ndër gazetat më të lexuara të tregut do të veçonim ‘Gazeta Shqiptare’, Panorama, Shqip, Shekulli dhe një gazetë e dalë kohët e fundit Mapo. Ndërsa gazetat Albanian Daily News (ditore) dhe Tirana Times janë publikime në anglisht dhe synojnë lexuesit e huaj në Shqipëri dhe kanë në fokus diplomatët dhe bizneset e huaja që operojnë në vend.  

‘Gazetat’ dhe ‘Gazetat Online’:  Lexueshmëria nëpërmjet internetit vitet e fundit është rritur përtej parashikimeve, duke bërë që dhe gazetat e printuara të kenë tirazh në ulje të vazhdueshme. Siç e përmenda edhe më sipër gazetat tashmë, ashtu sikurse Televizionet dhe radiot, kanë blerë faqen e tyre online për të krijuar një qëndrueshmëri në lexueshmëri apo lexues. Në këtë mënyrë për ta bëhet më e lehtë gjetja e një sponsori dhe rritet mundësia që layoutet apo reklamat në gazeta t’i shesin më shtrenjtë. Për të arritur këtë të fundit ata sigurisht që detyrohen të luajnë/manipulojnë edhe me shifrat që tregojnë tirazhin e tyre, duke marrë mbështetje edhe nga fakti se në Shqipëri nuk ekziston një matës i saktë i tirazhit të të gazetave në shkallë vendi. E njëjta situatë vlen edhe për televizionet dhe radiot. Edhe ata në mungesë të një matje absolute të shikueshmërisë dhe dëgjueshmërisë shpeshherë e caktojnë vetë vendin që kanë në treg, pak rëndësi ka për ta nëse matje të tjera nuk ia japin të njëjtin vend në listën e radhitjeve. İ vetmi që nuk vuan për një matje të tillë është ‘Lajmi online’ . Aty është shumë e lehtë dhe e vërtetueshme të mësosh numrin e vizitorëve në çdo çast. Të dhënat gjithnjë e në rritje të shifrave që tregojnë një trend të ri të medias ‘lexueshmërinë dhe shikueshmërinë e lajmit online’ ka bërë që vlera e faqeve të lajmit online të bëhen më të lexueshme/kuptueshme dhe kjo vlerë po kuptohet gjerësisht nga kompanitë e biznesit, institucionet shtetërore madje dhe nga vetë mediat. Gazetat e printuara, pavarësisht se në dukje vihet re një moskokëçarje ndaj këtij realiteti, nga ana tjetër po hedhin hapa të matur për të siguruar një të ardhme ndoshta ‘elektronike’ dhe nuk do të më surprizonte aspak fakti se një gazetë do të merrte vendimin që të ndalonte printimin në ‘hardcopy’ të gazetës. Shumica e gazetave për të shitur së pari kopjet e printuara ditore, lajmin e tyre ‘të freskët’ nuk e botojnë online pa gdhirë dita tjetër. Sot është e vështirë të gjesh një kanal televiziv, një radio apo një gazetë që nuk ka transmetim apo publikim edhe në internet. Ky shihet si një shans mjaft i mirë dhe me më pak kosto në krahasim llojet e tyre për të zgjeruar shikueshmërinë dhe lexueshmërinë - ndjekjen brenda vendit dhe jashtë kufijve, në diasporë e më gjerë.
Kanalet Radiofonike: Përsa i përket kanaleve Radiofonike më të dëgjuarat janë  Top Albania Radio, Radio Top Gold, Radio +2,  Radio Club Fm, Radio Rash, Radio Energy, Radio Kontakt, etj. Në krahasim me televizionet, radiot kanë relativisht më pak dëgjues buxhetet për përgatitje programesh po ashtu më të kufizuara dhe pavarësisht se reklamimi i spoteve është më pak i kushtueshëm kompanitë që publikojnë spotet e tyre në radion janë shumë më të pakta se televizionet.
 
BESUESHMËRIA E MEDIAS
Asgjë në botë s’është më e rrezikshme se sa e vërteta! Mund të thuhet me plot gojën që një ndër problemet më kyçe dhe një ndër sfidat më kryesore të medias vendase dhe të huaj është besueshmëria që reflektojnë ato tek masa.
Kur flasim për besueshmëri të një medie nuk e kemi fjalën tek lajmi i pasqyruar në mënyrë të paanshme, por tek tendenca për njëanshmëri në mesazhe të gatuara brenda lajmit që i kryqëzohet udha dukshëm ose padukshëm me individë, institucione apo kompani që kanë mjaft peshë në ushqyerjen e këtyre mediave.
Opinionet dhe liderët e tyre, ekonomia dhe të mëdhenjtë e saj, qeverisja dhe udhëheqësit e saj shohim që i kemi të pranishëm çdo ditë në media me zë, figurë apo shkrim apo të tria bashkë me qëllim mbrojtjen e interesit, imazhit, statusit të tyre kundrejt kërcënimeve që u shfaqen në ‘Treg’.
Pikërisht është aspekti ‘Fuqi ekonomike apo politike’ që i jep formën ‘enës së vërtetësisë’ ku lëngjet që përzien duken gjithnjë ashtu siç Ata u japin formë.
Varësia Financiare e mediave tek sponsori, ushqyesi dhe mbështetësi është një nga tre këmbët që mban në këmbë një media, ku dy të tjerat janë ana teknologjike e saj, dhe tjetra është struktura apo stafi i kualifikuar.
Faktori kryesor që ndikon në besueshmërinë e medias nuk mund të jenë medoemos deformimi i lajmit, ngjarjes reale apo realitetit, por përpjekja e dëshpëruar e medias që për të fshehur diçka mjaft të hapur e të dukshme detyrohet të gjejë kamuflime që tashmë ajo di t’i bëjë më së miri.
Në botën e sotme moderne media ka një ndikim të madh dhe të pamohueshëm, ndër të cilët kanalet televizive vijnë në plan të parë, ndërsa gazetat, radiot dhe Lajmi online vijnë më pas. Vlen të theksoj se me rritjen e përdorimit/aksesimit në internet është rritur ndjeshëm edhe leximi i informacionit online, e për rrjedhojë të gjitha mediat e tjera kanë vërshuar të kenë prezencën dhe ndikimin e tyre edhe në internet.
Në fakt tema që do të trajtoj nuk përfshin mediat që karakterin argëtues, muzikor dhe sportiv të mediave, që kanë për qëllim joshjen, tërheqjen dhe mbajtjen e shikuesit/dëgjuesit/lexuesit. Funksioni bazë që duhet të trajtohet është ‘Lajmi/Informacioni’.
Detyra e njohur gjerësisht e Medias është të informojë publikun lidhur me ngjarjet aktuale, megjithatë gjatë këtij misioni që i është besuar në heshtje nga masa, media tenton të fusë informacionin në një kallëp të vetin duke i shtuar njëanshmëri dhe kështu manipulon opinionin publik. Portretizimi televiziv i rremë, mbulimi i njëanshëm i lajmit, stereotipet e gabuara, mbytja e informacionit embrional, manipulimi i mediave janë tashmë gjëra që i besojmë të gjithë.
Nuk po flas aspak për gjërat e bëra gabimisht pasi në këto raste sporadike arrihet të kuptohet dhe argumentohet situata. Media beson se ka pjesën e saj në informacione, ku mund të vendosë, heqë e ndreqë sipas mënyrës së saj të shprehjes së informacionit. Po ta vëmë re kjo situatë ngjan me kuzhinierin dhe stilin e tij të të gatuarit. Pra të njëjtat asortimente kuzhine – ‘Lajmi’ mund të gatuhen ndryshe. Mund të jenë keqinterpretime apo thjesht gabime të pafajshme, por neve na intereson ajo pjesa tjetër. Ajo që bëhet me vullnet të plotë. Që në zgjedhjen e lajmit nis kjo temë mjaft e diskutueshme.
Kemi shumë të drejta apo të vërteta të diskutueshme që qartësohen në media. Media gëzon të drejtën e të qenit ‘e besueshme’ në kohën që lind, por gjithçka ndërron më pas. Duke u nisur që nga moda që na servir në interes të markave të mëdha të biznesit, media na servir të vërteta të vetat. Sapo thuhet ‘I ka ikur moda’ një pjesë e shikuesve çohen dhe e hedhin në kosh atë produkt.  


PUBLICITETI DHE VËRTETËSIA E TIJ
Opinioni publik është formuar përmes propagandës së mediave. Rrjeti i sistemeve të komunikimit – televizion, radio, revista, gazeta dhe filma - informon këdo duke ekspozuar gjithsecilin në rolet e tyre në shoqërinë dhe kulturën e tyre. Reklamim ka vetëm një qëllim: të shesë një produkt apo shërbim ose të promovojë një figurë politike me të gjitha mjetet dhe mënyrat e nevojshme, duke përfshirë edhe ‘brainwashing’ të publikun të gjerë.
Nga mediat veçanërisht televizioni është një pjesë e rëndësishme e jetës moderne. Në një telenovelë mjaft edukative të transmetuar në kanalit turk ATV në Turqi ‘Çocuklar Duymasın’ (Fëmijët të mos na dëgjojnë) përmbledh mjaft bukur faktin se leximi i librave tani është i lidhur ngushtë me televizionin. Ai shprehet se ‘Zakoni i dikurshëm i blerjes së librit është harruar. Tani njerëzit shohin një herë filmin apo telenovelën e më pas shkojnë dhe e blejnë’.
Ne shikojmë që në mes të programeve më të shikuara reklamat që në fakt kanë një ndikim në ulje për shikuesin, bëhen mjaft të bezdisshme. Në momentin që po shijon vërtetë një program, në çastin më të tensionuar, kur emocioni mund të jenë në maksimum, futet një grup spotesh me nga 25 sekonda për të informuar shikuesin se sa i mahnitshëm dhe modern është një shërbim apo një produkt, se si të përdorin një produkt, etj.  
Manipulimi që bëjnë mediat në shfrytëzim të besimit të konsumatorit çon në manipulimin, dezinformimin dhe deformimin edhe të opinionit publik. Sa më shumë ndikim të ketë një televizion aq më shumë ndikim ka ai tek opinioni publik. Portretizim televiziv i rremë, mbulimi i njëanshëm i lajmit, stereotipe të gabuara dhe mbytja e informacionit janë disa nga format e manipulimit të medias.
Kompanitë përpiqen ta bëjnë konsumatorin për vete dhe të vetëdijshëm ekzistencën e produktit të saj dhe për të bindur botën se produkti i saj është më i miri. Ky shpërdorim i mirëbesimit të shikuesit që njëkohësisht është dhe konsumator i dyfishtë, edhe i medias edhe i kompanive të produktit, vërtetë në mendjet dhe ndërgjegjen e publikut është një nxitje për të blerë gjëra pa e ditur se spoti është edhe pjesë e procesit të ‘prezantim-mashtrimit’, por nga ana tjetër ka shkaktuar edhe pakënaqësi tek ai në raport me median. Sa më shumë zhgënjen një produkt pas prezantimit në spot aq më shumë zbehet marrëdhënia me spotet publicitare e rrjedhimisht me vetë median përkatëse. Sapo nisin spotet shikuesi/dëgjuesi ndërron stacionin apo nis e bën një punë tjetër që do të ishte më e mirë se ndjekja e spoteve. Meqë jemi tek reklama duhet të theksojmë se spotet publicitare televizive tashmë kanë devijuar nga qëllimi i tyre fillestar, ai i prezantimit të mirëfilltë të një produkti, duke shpjeguar me zë e figurë benefitet nga ai produkt. Spotet nuk janë më prezantues të denjë për mendjen e thjeshtë, por kanë fituar një dinamikë dhe trend abstrakt që për syrin mund të jetë i jashtëzakonshëm por kjo anë e tij ia humbet vërtedukshmërinë produktit dhe disi lehtësinë në perceptueshëmëri (siç kemi ‘Redbull të bën me krahë’, apo reklamat e Vodafone kur vizaton me gisht). E megjithatë publiciteti i këtij produkti mjaftohet me ndikimin që ka në qëndrueshmërinë/ngecjen në memorien e njerëzve/konsumatorit të emrin të produktit, pra në këtë tendencë të re të publicitetit nuk po vihet më re se sa ‘me këmbë në tokë’ është produkti në spot. Për shembull i famshmi‘Redbull të bën me krahë’. Sulmi i përditshëm i mediave dhe reklamave bëhet me qëllim që të bindë publikun që të jetë ‘një tip’ dhe nuk do të ejojë ata që të funksionojnë si njerëz që ndjekin besimet e tyre.

LOJA ME INFORMACIONIN
Le të kalojmë tek lajmi dhe manipulimi i tij në favor të partive politike dhe liderëve të tyre. Opinioni publik formohet përmes propagandës së mediave. Madje ekzistenca e disa versioneve rreth çështjeve në opinionin publik është i lidhur ngushtë me versionet që ofrojnë media rivale, që mbështesin denjësisht anë të caktuara.
Në Shqipëri kemi një Menaxhim të Medias nga ana e liderëve partiakë, dhe rrjedhimisht nga Partitë politike, të cilëve vazhdimisht u duhet të caktojnë praktikat me të cilat do të ndikojnë, kontrollojnë dhe manipulojnë mediat, për të arritur në qëllimet e tyre politike. Një tjetër komandues i informacionit është edhe biznesi që ushqen median.
Në këtë kontekst medias i duhet të mbajë një ekuilibër shumë të qëndrueshëm, që në fakt është shumë i brishtë, edhe me liderëve partiakë, apo Partitë politike, por edhe me bizneset ushqyese.
Marrëdhënia ‘Politikë – Media’ gjithnjë e në rritje implementohet nga Menaxherët e MP, Liderët Partiakë, Politikanët.
Partitë politike dhe vetë lideri partiak mban një marrëdhënie e mirë me median, që nënkupton një ‘Mbështetje e Ndërsjelltë’. Nga njëra anë kemi zinxhirin që kujdeset që informacioni të jetë sa më i përpunuar në përputhje me ‘pëlqimin’ e partisë anën e të cilës mbajnë; dhe në këtë zinxhir kemi pronarët – që kanë marrëdhënie direkte me politikën, drejtorët dhe kryeredaktorët e lajmeve që kontrollojnë çdo ‘specie të dëmshme imazhi’ për partitë; dhe më pas vijnë gazetarët ose më saktë ‘gladiatorët’ e  lajmit – të cilët i dinë mirë detyrat e tyre, veprojnë me mendjen e ‘Të madhit’ për hir të politikës. Pra Media ndihmon Liderët e Partive Politike, të cilët njehsohen me Partitë Politike, për të ruajtur të pastër ekuilibrin “Ajo që ndodh – Ajo që thuhet”. Në këmbim të këtij shërbimi të devotshëm të medias, kjo e fundit kërkon nga politika dhe lideri partiak mbështetje si financiare ashtu edhe privilegje e ndihmë ligjore, etj.  Media ndihmon Liderët e Partive Politike, të cilët njehsohen me Partitë Politike, për ekuilibrin “Ajo që ndodh – Ajo që thuhet”. Në raste kur Media tregon tendencë dhe guxim të prekë me vetëdije interesat e Lidershipit dhe Forcës Qeverisëse kemi patur edhe ndëshkime. Të mirëmenduara ose jo, këto ndëshkime janë bërë nën pretekste të ndryshme. Mund të përmendim rastin e gjobitjes së Top Channel në 2004 dhe përpjekjet për ta zhvendosur këtë televizion që prekte interesa qeveritare nga vendndodhja, Qendra e Kulturës. Kemi edhe rastin e gazetës TEMA, që u nxor me forcë nga redaksia e saj nga forca të shumta policie. Gjersa më vonë gazeta Tema u detyrua të mbyllte botimet e saj.
Shumë gazeta janë të “të ushqyera” vetëm për t’i shërbyer mirë politikës. Kur shohim panoramën aktuale të medias vëmë re që gazeta Shekulli thuajse ka qenë vendin e Zërit të Popullit në mbrojtjen e të Majtës, Gazeta 55 dhe RD janë ‘gazetat-motra’ me lexues të paracaktuar ‘militantët e betuar’ të cilët e kanë ushqim shpirtëror lajmin e servirur të filtruar deri në palcë;  më pëlqeu krahasimi i një analisti për televizionin ‘Klan’ i cili e quante ‘TVSH private’. Aq shumë bie në sy njëanshmëria e lajmeve të këtij kanali saqë edhe vetë Rama i vuri ambargo përgjigjeve ndaj këtij kanali duke u mjaftuar vetëm me shprehjen ‘Të fala Sandrit’, duke nënkuptuar pronarin e TV Klan Aleksandër Frangaj. Çdo lajm i së majtës kthehet gjithnjë në disfavor të saj. Ndërsa Top Channel pavarësisht se posedon pllakatën e ‘mbështetësit të së Majtës’ mundohet ta mbajë më të mbuluar këtë pllakatë. Por gjithsesi nuk duket se po ia del dot.
Partitë politike duke ditur se media është mbështetës i pazëvendësueshëm dhe thelbësorë për ekspozimin në publik; por duke njohur mirë edhe karakterin e lëkundur sipas interesit në një anë politike të medias dhe të qenit ‘Pjesërisht të paparashikueshëm’ të saj dhe me tendencë drejtë pavarësisë, ka zhvilluar mekanizma të ndryshme për ta mbajtur nën kontroll dhe ky proces mund të konsiderohet i suksesshëm për ta deri më sot.
Politikanët ndikojnë Opinionin Publik me mbështetjen e Profesionistëve që menaxhojnë Median, për të pasqyruar “Vlerat” me anë të lajmeve dhe informacionit të vlefshëm.
Analistët, që janë një produkt mediatiko-politik, në Shqipëri kanë një vend të veçantë në formëzimin e opinionit publik. Ata janë komentues të ngjarjeve politike në media, bëjnë analiza të bazuara dhe tregojnë sondazhe. Ato gjëra që politika do që t’i thotë por nuk preferon t’i thotë për shkak të nivelit të ulët të besueshmërisë, i bën nëpërmjet analistëve. Funksioni i tyre është ruajtja e sistemit politiko-mediatiko-ekonomik dhe ata janë shumë të përshtatshëm për t’u përdorur nga Liderët dhe Partitë Politikë për shkak se janë ekonomikisht të varur.
Nga ana tjetër politika ndikon edhe në edicione lajmesh me njoftim për shtyp; media u siguron atyre në bazë të lidhjes së ndërsjelltëintervista në TV e Gazeta; Një tjetër mbështetje që media i jep politikës është edhe transmetimi ‘Direkt’.
Një pikë e rëndësishme e mbështetjes së medias për politikën është edhe ‘Demonizimi i figurave përballë’. Gjetja e pikave të dobëta të kundërshtarit dhe publikimi i tyre. Rasti i ish-ministrit Ylli Pango mund të konsiderohet i tillë.
Ndikimit që ka politika në Besueshmërinë e medias nuk i kushtohet vëmendje nga politika. Pra për të nuk është dhe aq e rëndësishme nëse lëkundet ose jo besueshmëria e një medie, pasi në fund të fundit këtë duhet ta mendojë vetë media. E nëse e sheh që lajmet politike e kanë lëkundur këtë besueshmëri për politikën është e lehtë caktimi apo gjetja e një tjetër partnereje me parametra më të mirë në opinion publik. Ajo që ka rëndësi për politikën është ‘nënshtrimi’ i asaj medie në momentin që politika dëshiron ta ketë ‘Megafonin’ e saj për të dhënë një mesazh në publik.
            Nga ana tjetër edhe biznesi ka ndikim të gjerë në mediat shqiptare. Në parim të heshtur asnjë organ mediatik nuk ka të drejtë ‘moralisht’ të shajë apo keqpërdorë imazhin e një produkti të një kompanie. Nga ana tjetër edhe kompania është e devotshme në sponsorizime në media që janë investime direkte për këto organe mediatike. Marrëdhënia mes medias dhe biznesit është më në terma të barabartë se sa me politikën. Nëse ndodh që një aktor i medias të njollosë imazhin e një produkti apo kompanie me ose pa të drejtë, atëherë kompania ose tkurr marrëdhëniet me të ose kupton që ka ardhur koha që të paguajë më shumë për ta pasur imazhin e pastër në këtë media. Nga ana tjetër nëse një kompani tenton të shkurtojë apo pakësojë buxhetin për një media duke shkaktuar kështu pakënaqësi, pritet që kjo pakënaqësi të shndërrohet në sulm mediatik në pikat e dobëta të kompanisë, gjetjen e të cilave mediat e kanë në profesion.
Edicionet e lajmeve shpesh mbushen me minutash që promovojnë aktivitete të bizneseve të ndryshme që sipas nesh, pra gazetarëve, edhe përbëjnë edhe s’përbëjnë lajm. Po sa vlerë mund të ketë për shikuesin promovimi i një llotarie i një kompanie ku kjo e fundit dhuron nje makinë, celular apo çfarëdolloj produkti tjetër? Në fakt kohët e fundit edhe pse në pakicë, ekzistojnë media që promovime të tilla nuk i bëjnë edhe pse kanë presionin e biznesit. Megjithatë, ofrojnë mundësinë e një lajmi promocional me pagesë, i cili do të botohet ose transmetohet si i tillë.  Shembuj: gazeta Shekulli, gazeta Shqip (e cila e cilëson me titull ‘Lajm Promocional’ apo Breaking Views) dhe Top Channel.
“Ndërhyrja e kompanive të telefonisë celulare në media shërben si një shembull i mirë se si bizneset e mëdha ushtrojnë ndikimin e tyre në politikën editoriale. Këto kompani kanë arritur të bllokojnë pasqyrimin kritik për to si në median e shkruar, ashtu dhe në atë elektronike, edhe pse shqiptarët paguajnë tarifat më të lartë për celular në Europë.”[2]
TRANSPARENCA NË MBI TË ARDHURAT E MEDIAS
Transparenca në mbi të ardhurat e medias trajtohet mjaft qartë në një raport të Institutit të Medias të vitit 2010. Kjo temë sipas këtij raporti mbetet ende një çështje enigmë dhe e padeklaruar nga pronarët e tyre dhe qëndron vazhdimisht një temë debati. Si është e mundur që nga 75 kanale televizive dhe media të llojeve të tjera asnjëri prej tyre nuk ka shpallur falimentin për shkaqe financiare?
Në të vërtetë pak media janë mbyllur ndër vite, ndërkohë që vetëm vitet e fundit janë hapur 4 – 5 televizione. Mosfalimentimi është një trend i qëndrueshëm jo vetëm i medias shqiptare por edhe i biznesit shqiptar.  Nga afro 30 tituj gazetash, asnjë prej tyre nuk është në gjendje të sigurojë të ardhura të barabarta me shpenzimet. 39 Abonimet mbeten tejet të ulëta, ku gazeta me tirazhin më të lartë, 23,000 kopje në ditë, ka vetëm 400 abonime.[3]
Për më tepër, përqendrimi i mediave të rëndësishme në gjithnjë e më pak duar mund të sjellë falimentimin e medias më të varfër lokale, kur përqendrimi i medias në kryeqytet të thellohet.[4]
Gjithashtu, bizneset paralele të pronarëve të medias janë një arsye tjetër për t’u shqetësuar. Ndërkohë që këto biznese ishin baza për investimet e mëdha të bëra në media, pronësia paralele e mediave dhe bizneseve të tjera bën që media të jetë e brishtë ndaj interesave ekonomike dhe politike. Duke pasur parasysh ekzistencën e një tregu pune kryesisht informal, që i vendos gazetarët në një pozicion të pasigurtë dhe i shpie drejt vetëcensurës, nuk është aspak e vështirë për pronarët e medias që ta përdorin median për qëllimet e tyre.
Kjo situatë përshkruhet kështu nga një analist:
“Shumë prej mediave kanë vetëm një pronar, i cili zakonisht vjen nga fusha e ndërtimit, forca
e ekonomisë sonë kapitaliste.
Sipas një analisti: “Media nuk është fitimprurëse, por në mënyrë të tërthortë duket si e tillë. Media bëhet fitimprurëse vetëm si një vegël për të marrë leje ndërtimi dhe favore të tjera nga qeveria. Me fjalë të tjera, në llogaritë e pronarëve, bilanci i fundit është pozitiv.[5]

Reporterët pa Kufij – LIRIA E MEDIAS në Shqipëri është në rënie

Në raportin më të fundit të ‘Reporterët pa Kufij’(Reporters without Borders) u publikua raporti për lirinë e shtypit në botë për vitin 2011- 2012. Këtu Shqipëria figuron në vendin e 96 me një zbritje prej 16 vendesh, ndërkohë që Kosova tregon rezultate më pozitive me një rritje me 10 vende. Ky raport u komentua nga ekspertët se: “Kriza ekonomike ka theksuar problemet në Ballkan. Përdorimi i medias për interesa private dhe kriminale, konkurrencë e padrejtë në tregje, autocensurë nga ana një numri të madh gazetarësh të paguar” këto janë problemet që Reporterët pa kufij vërejnë në gazetarinë e vendeve të Ballkanit. "Drejtësia – me personel me formim të dobët, aleate me qeverinë dhe shpesh e korruptuar – duket më e interesuar të godasë median se sa t’i japë fund pandëshkueshmërisë së atyre që kërcënojnë ose sulmojnë fizikisht gazetarët" - nënvizon raporti.[6]   

Gazetari i njohur Aleksandër Çipa në një intervitë të dhënë në lidhje me këtë aspekt për mbi gazetarinë dhe profesionin e gazetarit në Shqipëri, flet për një paradoks ‘liri pa cilësi’ të medias. Në përgjithësi gazetarët janë ‘lojtarë të lëvizshëm’ të tregut mediatik. Sipas Çipës shumë gazetarë të formuar e profesionist një ditë të bukur e gjejnë veten në rrugë për shkak të pavarësisë në formimin e lajmit. Ai vlerëson se transformimi i gazetarit nga individ profesionist në një njeri rruge nuk duhet të ndodhë, pasi i bën ata të autoçensuruar dhe nga ai gazetar nuk mund të presësh më lajme të paanshme apo të vërteta. Ai më pas do të flasë me mendjen e pronarit të medias dhe interesave të tij vetjake apo gripale. Kalon shkalle të ndryshme të karrierës gazetareske dhe sërish e gjen veten në rrugë.
            Pra manipulimi i lajmit, e rrjedhimisht i opinionit publik kalon nga gazetari që e gjurmon lajmin dhe e përgatit për servirje sipas ‘mendjes’, ‘shijes’ dhe interesit maxhor të një mediumi, apo të pronarit me një autoçensurë ndoshta të padëshiruar. Sipas analistëve mediat shqiptare janë ende në një fazë të re dhe jo të pjekur profesionalisht.
Në emisionin politik ‘Prizëm’, të datës 30.01.2012 Në AS TV me gazetarin Aleksandër Furxhi u trajtua tema ‘Liria e Medias në Shqipëri’. Mes të ftuarve Skënder Minxhozi, Andrea Stefani, Edlira Gjonaj dhe Aleksandër Cipa u diskutua rreth këtij raporti të organizatës ndërkombëtare  “Reporterë pa Kufi” sipas të cilit Shqipëria zbriste 16 vende në rënditjen boterore për lirinë e shtypit. Paneli vuri në dukje nëpërmjet diskutimeve se  pavarëisht problemeve që po kalon media aktualisht, ajo po duke luajtur rolin e vet si një gur themeli për demokracisë. Po kështu u analizua edhe situata e medias në Kosovë dhe Maqedoni dhe krahasimi me Shqipërinë. [7]
Skënder Minxhozi u shpreh se mediat shqiptare s'kanë hyrë ende thellë në gazetarinë investigative. Ai e konsideron median shqiptare ende të thjeshtë dhe në një fazë foshnjore të gazetarisë. Ai e quan median një licencë për gjueti, që vërtetë s'e përdor por e ka në dorë ta bëjë. Pra këtu një tjetër pikë e rëndësishme që trajton Minxhozi është fakti që ‘Berisha nuk hap gjyq ndaj gazetareve dhe ka një mosreagim. Ai këtë gjendje e konsideron si një puç nga ana e Berishës. Dmth gazetarisë në dukje i jepet liri por politika nga ana tjetër me mënyrën e reagimit, që do të quhej më mirë një ‘mos-reagim’ sipas Minxhozit thotë: ‘Unë kam të drejtë mos të të dëgjoj fare; Ti fol se ke të drejtën dhe lirinë tënde, por edhe unë kam të drejtën tëe mos përgjigjem’.[8]

Edhe pse kemi të bëjmë me çështje me shumë rëndësi prapë preferohet nga ministritë që të mos jepet përgjigje. E ç'rëndësi mund të ketë në këtë liri të medias kur asaj i mohohet e drejta e informimit dhe marrjes së përgjigjeve.
Në fakt gjendja e mediave edhe në rajon nuk është shumë i ndryshëm nga ai i Shqipërisë. Problemet mediatike të Kosovës dhe të Maqedonisë janë të ngjashme me ato të Shqipërisë.
 Agron Bajrami, kryeredaktor i Koha Ditore në Kosovë komenton këtë raport të mediave duke thënë se media kosovare është e kërcënuar nga mënyra e keqe e qeverisjes. Sipas tij qeveria dhe institucionet përkatëse në Kosovë kanë tendencë të t’i tregojë medias se si ta bëjnë punën e tyre. ‘Legjislacioni na jep të drejtë të dimë proceset por nuk na jepet kur i kërkojmë. Modelim të medias’ – thotë Bajrami. Ndërsa për Maqedoninë gazetari shqiptar Nazim Rashidi gazetar shqiptar i radios BBC në Shkup thotë se kontrolli që qeveria kërkon të ketë kontroll mbi media, dhe për këtë ka mjaft tentativa. Maqedonia ka humbur 16 vende në raportin e lirisë së mediave në krahasim me një vit më parë (2010-2011). Një fakt i rëndësishëm është se pronarë të mediave janë lider partiakë dhe të tjerët janë biznesmenë. Ata ndjejnë presion nga politika.
Edlira Gjonaj në koment të raportit të Reporterë pa Kufij thotë se ashtu sikurse vendet fqinje të ngjashme me fqinj kemi problemin e modelimit të informacionit apo lajmit. Info vjen i gatshëm ose qeveria, politika të tregon mënyrën e selektuar lajmin që duhen dhënë. Pas një pjese të mirë të mediave janë biznese dhe pas të tjerash fshihen politikanë.   
            Nisma e Berishës e publikuar shumë herë në lidhje me ‘Mosdërgimin e asnjë gazetari në gjyq’ nuk shihet si tregues i mirë nga analistët. Kjo sipas tyre duket qartë që është një pakt i heshtur që nënkupton se Berisha dëshiron t’ja çojë mirë me ta. Pra, sërish në heshtje, kemi të bëjmë me një minimizim të medias nga ana e politikës.
Emisione si Fiks fare apo Xhungël i News 24 janë emisione shumë të guximshme sipas analistit Andrea Stefani, i cili shton se kërcënimet ndaj gazetarëve janë të shumta dhe ata nuk duan tu shkojnë gjërave deri në fund apo thellë pasi nuk dihet se ku del koka e kësaj pune.
Pra gazetari është ‘gladiatori’ apo ‘ushtari më i rrezikuar’. Ai në të shumtat e rasteve gjendet midis zjarresh, pasi nga njëra anë i duhet të gjejë lajm për të sulmuar ‘kundërshtarin’ e medias, e nga ana tjetër nëse nuk e bën këtë apo aq më keq përgatit një lajm që direkt apo tërthorazi godet mbështetësit e medias i duhet të përballet me problemet në marrëdhënie me vendin e punës që në rastin më të keq e gjen veten të papunë.   
Siç duket qartë nga gjithçka që shpjeguam më lart Mediat janë të varura ekonomikisht nga faktor të jashtëm. Shumica e subjekteve mediatike në Shqipëri janë hapur nga biznesmenë ose individë politikë me qëllim mbrojtjen e biznesit në opinionin publik apo të imazhit partiak në rastin e dytë. Kësaj i shtohet edhe marrëdhënia Biznes – Politikë e cila sërish e çon ndikimin e saj edhe në mediat që janë të lidhura me të paktën njërën palë.
Pra me pak fjalë, kur televizioni, radioja apo gazeta të nisë punë në mëngjes duhet të ketë të varur në mur listën e prioriteteve në gjetjen/gjurmimin e lajmit, selektimin e tij, mënyra se si do të trajtohet dhe çfarë do të kihet parasysh që gazetari të mos prekë ‘në dërrasë të kalbur’ e të prekë interesat e ‘paprekshme’. Roli i Gazetarit në forcimin apo lëkundjen e besueshmërisë është sa dytësor aq edhe i rëndësishëm. Pjesa dërrmuese e gazetarëve kryejnë vetëm një proces mekanik në lidhje me kapjen dhe përpunimin e informacionit. Përsa i përket strategjisë që ndiqet në mënyrën se si do të serviret ky lajm, aty gjithnjë ndikon ‘Dora e Fortë’. Gjithnjë duke qëndruar në mediat shqiptare, duhet të themi se qoftë edhe një material i publikuar pa kaluar nga kontrolli i cilësisë do të prishte mjaft punë nëse do të godiste ‘Thembrën e Akilit’ që në rastin tonë do të ishte një prej zonës së interesave të ‘Të Fortit’. Autocensura shpeshherë diktohet mjaft shpejt edhe nga qytetarë të thjeshtë që arrijnë të ndjekin përditshmërinë. Në momentin që diktohet një mangësi në detajet e informacionit, besueshmëria e asaj medie nis lëkundjen.
SI MUND TË ARRIHET BESUESHMËRIA?
Nga gjithsa shpjeguam më lart kuptojmë që media më shumë se vendosja e “Vlerat Themelore” të audiencës dhe publikut, ajo kujdeset për imazhin e politikës dhe bizneseve. Por pikërisht në këtë moment nis problemi i lëkundjes deri në themel i besueshmërisë së lajmit apo informacionit që transmeton. Siç thotë edhe Prof. Dr. Bulent Çapli në një koment të tij për gjendjen e mediave ‘Mediat po presin degën ku janë ulur me mënyrën e tyre të operimit’. Sipas tij Besueshmëria e mediave sa vjen e ulet.
Duke qenë se media konsideron njerëzit klientë dhe atë që ka në dorë e konsideron mall thotë Çapli presioni mbi media do të ekzistojë vazhdimisht. Ky presion herë-herë do të shfaqet në lajm, e herë në thurje gjërash të paqena apo inskenime. Manipulimet me informacionin, lajmin, titujt bombastik që bëhen me mendimin ‘Si mund të tërheq sa më shumë sy e veshë nga publiku’, i bëjnë keq medias, pavarësisht se në disa raste e bën të përjetojë caste lavdie. Në këto raste duke menduar se lajmi që ka në dorë nuk tërheq mjaftueshëm vëmëndje, lufton që ta shndërrojë në lajm tërheqës duke ndryshuar aty-këtu gjëra që sipas tyre është pjesë e profesionit.   
Sipas Profesorit të universitetit të Ankara Çapli në lidhje me besueshmërinë e medias nuk duhet luajtur me vërtetësinë e informacionit, pasi në këtë mënyrë lëkundet edhe themeli i besueshmërisë së lajmit.[9]
Pra në momentin që lajmi është i manipuluar dhe aq më tepër kur konsumatori i këtij lajmi e kap këtë, ul seriozisht shkallën e besueshmërisë.
Akademikët janë të mendimit se humbja e prestigjit dhe zbehja e imazhit të mirë të medias nga analizat e bëra rezulton se kjo e fundit ka në fokus përfitimet dhe jo funksionin themelor të krijimit të saj. Edhe besueshmëria në media ashtu sikurse edhe besueshmëria nw Politikw janë thellësisht të lëkundura.
Për të arritur një besueshmëri të qëndrueshme, që në fakt është pothuajse utopike ta mendosh në kushtet aktuale të medias, do të ishte e nevojshme dhe shumë me rëndësi që mediat të mos kishin nevojën e varësisë ekonomike dhe të mos kishin frikën e ekzistencës në rast se tregoheshin më të lira në publikimin e fjalës së lirë dhe reale.
Ashtu sikurse kanali televiziv shtetëror TVSH që merr taksën e televizorit nga qytetarët, duket se do të ishte mënyra më e mirë për të hedhur hapa drejt një mediumi të pavarur që vë në fokus vetëm interesat e qytetarit. Sigurisht që do të duhej një punë kolosale që KKRT të bëjë që shikuesit të mos detyrohen të shohin në shkallë shqetësuese spote publicitare që në të shumtën e rasteve nuk bëjnë thjeshtë prezantimin e një produkti/shërbimi por bëjnë Show dizajnesh e videoklipesh abstrakte për tu bërë më të qëndrueshëm në mendje të njerëzve. Shikuesi duhet të vlerësohet dhe jo të trajtohet si klient potencial për ‘ushqyesit’ dhe mbështetësit ekonomikë dhe politikë të medias. Për këtë, njerëzit kanë nevojë për mbrojtje institucionesh, në rastin tonë nga KKRT, në mënyrë që të evitohet çdo përmbajtje e padëshiruar e shumicës së shikuesve, kjo kalon nga përcaktimi i vlerave dhe preferencave të shikueve, si dhe etika.  Mbrojtja nga përmbajtjet e papërshtatshëm, të pavërteta apo të manipuluara, informacioni tendencioz etj, për momentin duket vërtetë shumë larg, por kursi që media ka marrë, siç theksohet edhe nga profesionistë të saj, nuk është mënyra ideale e shërbimit dhe nuk justifikon funksionin themelor të medias.
 Financimi i medias vetëm nga subjekte private biznesi apo subjekte politike çon në një kolaps të Besueshmërisë së medias, pasi edhe nëse informacioni do të ishte krejt i pastër dhe i pamanipuluar, thjeshtë opinioni publik rreth atij kanali televiziv apo radiofonik, apo gazetë do të bënte që besueshmëria e lajmit të ishte shumë e ulët.
Shoqatat dhe organizatat mediatike në vend ekzistojnë, por shumica e tyre mbeten të dobëta në funksion. Gazetarët nuk kanë qenë në gjendje të organizohen në një lëvizje apo organizatë, as për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe as për qëllime profesionale.[10]
Dy shoqatat kryesore të gazetarëve në vend janë Lidhja e Gazetarëve Shqiptarë dhe Shoqata e Gazetarëve Shqiptarë.
Ndikimi i këtyre shoqatave mbetet i kufizuar dhe nuk ka arritur të krijojë një traditë. Shoqatat e gazetarëve bëhen të gjalla në rastet kur duhet të mbrojnë një gazetar apo në raste të ngjashme flagrante, duke ruajtur një profil të ulët gjatë gjithë kohës.[11]
Mungesë organizimi ka edhe mes pronarëve të medias për shkak të ndarjeve politike dhe ekonomike.
“Pronari i televizionit më të madh pro-qeveritar në vend lobon për interesat e veta, jo për interesat e gjithë mediave. Po kështu, organizatat e mediave opozitare i bëjnë thirrje drejtpërdrejt opozitës, me shpresën se do të përfitojnë nëse ndërrohet pushteti.”[12]
Siç dihet edhe nga disiplina e marketingut, krijimi i një imazhi të pastër, të drejtë, të besueshëm dhe të qëndrueshëm, duhet shumë kohë, por për ta prishur atë mjafton edhe një periudhë mjaft e shkurtër.
Kjo do të ndihmonte  që qytetari që ndjehet i përfaqësuar nga një kanal televiziv, ashtu sikurse mund të ndjehet i përfaqësuar nga një parti, të paguante për ekzistencën e asaj medie, në mënyrë që besueshmëria në atë televizion të ishte sa më e lartë. Nëse liria ekonomike dhe zhdukja e kanosjeve politike ndaj një Televizioni do të ishin realitet, shumë aspekte të besueshmërisë do të kanalizoheshin në rrugë krejt të paprekura më parë. Këto ndryshime do të donin shumë përpjekje dhe kohë, pasi ‘Të fuqishmit’ nuk do të donin dhe lejonin kurrsesi që tu ikte nga dora pushteti i katërt, që herë-herë pozicionohet edhe si i pari.

KONKLUZION
Lidhja magjike Politikë-Media dhe Biznes-Media është në thellim të mëtejshëm dhe pjesë e këtij thellimi është edhe formimi/zhvillimi çdo ditë e më shumë teknikave të reja që të krijohen më shumë ‘tela të përbashkët’ mes tyre. Kjo do të thotë që marrëdhëniet që media i krijon me vetëdije të plotë me qëllim mbijetesën në treg dhe zhvillimin e mëtejshëm të strukturave të saj, sa vjen dhe e largojnë ‘shikuesin e vetëdijshëm’ nga ekrani në rradhë të parë, radioja apo gazetat në rradhë të dytë.  Mediat që tentojnë të jenë kritike ndaj ‘Dyshes së Shenjtë’ duhet të marrin parasysh ndikimin negativ që reflektohet patjetër në marrëdhëniet me ta, dhe kësaj i druhen të gjitha mediat pa asnjë përjashtim.
Për të kuruar problemin e largimit të shikuesit/dëgjuesit/lexuesit, mediat duhet të krijojnë një lidhje më të drejtpërdrejtë me njerëzit. Veçanërisht emisionet investigative të tipit Fiks Fare, Alarm, Xhungël, etj. duhet të tregojnë më shumë guxim në pasqyrimin e halleve të njerëzve që i shohin këto emisioni si ‘Porta e Shenjtë e Zgjidhjeve’. Kjo ‘Portë e Shenjtë e Zgjidhjeve’ deri më tash ka bërë shumë pak nga ajo që mund të bëjë në përmirësimin e gjendjes sociale-ekonomike të popullsisë. Emisionet investigative aktualisht po përdoren si armë kundërpërgjigjëse ndaj atyre që prekin interesat ekonomike të medias, dhe shumë pak bëhet për interes të publikut. Kemi raste konkrete ku Ora News dhe pronari i saj Ylli Ndroqi kanë patur tendencë për të zhvatur më shumë para për reklama nga biznese të mëdha, apo raste problemesh ekonomike dhe politike dhe emisioni arma e gjahut ‘Alarm’ është përdorur si mjet shantazhi për rivendosjen e një ekuilibri të ri dhe sipas kërkesave të pronarit të medias.
Siç edhe e kemi përmendur më lart, qëllimi i themelimit të medias në Shqipëri ka qenë ose mbrojtja e një biznesi (pra kundërsulmi ndaj kërcënimeve në treg) e promovimi i produktit të atij biznesi, ose qëllime politike. Pra që në thelb shumica e mediave e nisin lojën në ‘Besueshmëri të Medias’ zero me një në dezavantazh. Duke shkuar edhe më tej, disa nga mediat bëjnë pakt me njëra-tjetrën për të promovuar dhe mbrojtur imazhin dhe produktin e njëra-tjetrës. Pra duke shumë qartë që qytetari në këtë mes është në plan të parë si klient, dhe në radhë të fundit kur vjen puna për mbrojtjen e interesit.
Një mënyrë e përmirësimit të imazhit dhe besueshmërisë së medias do të ishte një nismë e re që do të udhëhiqte institucionin përkatës KKRT të organizonte sondazhe gjithpërfshirëse në lidhje me kënaqësinë e popullatës, duke caktuar kështu një kriter për median që ka të drejtë të vazhdojë biznesin e tij. Ky sondazh do të shërbente si një mini-referendum për të vendosur një kriter edhe konkurrence edhe cilësie për tregun. Pra nëse një televizion nuk ka efekt estetik tek shikuesi dhe nuk i jep kënaqësinë e duhur atij, do të ishte më mirë që të paktën të mos prishte cilësinë e tregut mediatik.
Por sigurisht për të implementuar nisma të tilla do të duhej një bazë e shëndetshme ligjore dhe ç’është më e rëndësishme, një vullnet politik i pa ndikuar nga interesa politike apo ekonomike të biznesit për të arritur në një bazë të tillë ligjore dhe kjo sigurisht që do të ishte një sfidë për institucionet tona e për më gjerë. Qoftë mediat lokale lokale që operojnë në rrethe, qoftë mediat që operojnë në kryeqytet, ku është e përqendruar shumica e popullsisë shqiptare, duhet të kenw një kriter për falimentim ose mbyllje tw paracaktuar ligjwrisht. Disa nga mediat duket sikur kanë thjeshtë efekt frekuence, që kur shikuesi të marrë në dorë pultin të shtypë një buton më shumë. Megjithatë deri tani kjo është trajtuar dhe vazhdon të trajtohet si liri për hapje të një medie, Por një treg i vogël siç është Shqipëria nuk e ka fuqinë financiare që të ushqejë gjithë këto media mjaftueshëm, dhe pikërisht këtu hyn në lojë dyshimi për financimin e shumë mediave që në dukje rezultojnë me bilanc pozitiv, duke fshehur kështu mënyrat e financimit të kësaj medie.
Shumica e mediave as që e kanë kapur ritmin e konkurrencës, madje përtojnë të bëjnë investime për të mos thënë nuk kanë ngenë të harxhojnë me investime pasi pronari i saj njëkohësisht biznesmen, e di vendin që zë në treg ky organ mediatik dhe ç’është më e keqja as nuk e shet atë sepse sërish e quan ‘armë shantazhi dhe ‘promovues të produktit të tij’. 
TVSH figuron të jetë televizion publik jo-komercial, por ai funksionon si privati, madje ka edhe avantazhe edhe më të mëdha:
1-         Reklamën e merr dhe detyrimisht mbështet biznesin,
2-         Taksën e televizionit e merr si asnjë televizion tjetër privat,
3-         Mbron në mënyrë të dukshme interesat e partisë në pushtet dhe gëzon privilegjin e financimeve publike dhe garanci të mosfalimentit.
Atëherë, në këtë gjendje a mund të mbrojë ky kanal interesa të publikut? Sigurisht që përgjigja nuk është ‘Po’. Pra vijmë në përfundimin që ky treg do të ishte më mirë të mos e kishte fare këtë kanal se sa ta ketë në gjendjen aktuale, ku çdo trajtim i saj është i njëanshëm; nuk mbron interesat e publikut por e gozhdon atë mirë në kolltukun e të shfrytëzuarit.
Po a shteron besueshmëria?!
 Për shikuesin apo lexuesin besueshmëria e medias skadon në momentin kur ai/ajo nuk e gjen veten aspak në ato që media i transmeton. Pra marifeti i medias që konsiston në përzierjen e lajmit të manipuluar dhe atij të pamanipuluar e të besueshëm, kështu që mjeshtëria gazetareske dhe mediatike bën që në momentin që ndjehet rrezik për prishje të mëtejshme imazhi të marrë masa për të gjetur metoda kuruese të ‘Besueshmërisë’. Kështu që ky proces megjithëse i çalë, vazhdon deri atëherë kur media mund të mbesë pas asnjë mbështetje dhe shikueshmëri. Gjersa nuk kemi media me tendencë për të vënë në plan të parë interesin publik dhe ato i kemi vetëm në vitrinë, arritja e një mediumi ideal me Besueshmëri maksimale është thuajse e pamundur të arrihet. Shpresoj që të mos i kthehemi edhe një herë kohës kur shqiptarët dëgjonin Zërin e Amerikës e të Kinës për të marrë vesh se si qëndron e vërteta mbi çështje me ndikim publik, ku gjykohet qe e vërteta do t’u prishte shumë punë ‘Të Mëdhenjve’. Besueshmëria e medias gjersa është në raport të drejtë me besueshmërinë në Politikë, nënkupton që nëse rritet cilësia dhe besueshmëria në Politikë kjo do të reflektohet edhe në media.


[2] IREX, “Indeksi për Qëndrueshmërinë e Medias,” 2009, f. 8.
[3] IREX, “Indeksi për Qëndrueshmërinë e Medias,” 2010, f.13.
[4] IREX, “Indeksi për Qëndrueshmërinë e Medias,” 2009, f. 12.
[5] FRIDE, Democracy Monitoring Report, Albania, 2010, http://www.fride.org/
[10] http://fes.org.al/materiale/studim_1  Instituti Shqiptar i Medias
Albanian Media Institute
[11] http://fes.org.al/materiale/studim_1 Instituti Shqiptar i Medias
Albanian Media Institute
[12] http://fes.org.al/materiale/studim_1 Instituti Shqiptar i Medias
Albanian Media Institute