Tuesday, November 15, 2011

KËRKOJ VETVETEN NËPËR NATË...

KËRKOJ VETVETEN NËPËR NATË...
Ditar nga mendja e një të riu që ndërroi jetë në 2006-ën në një spital të Ankarasë


... U bënë plot një muaj që dergjem në shtratin e një spitali,
E ndjej që vështirë se do të më lëshojë.
Jam i tëri në djersë të ftohta krejt akull, e megjithëse është dimër e ftohtë, çuditërisht mua më mbajnë me kompresa e me dritare hapur sepse po digjem i tëri përbrenda...
Frymëmarrja dalë ngadalë po më shpejtohet aq shumë sa nuk më lë të marr një sy gjumë...
S’shoh asnjeri nga të mitë veç vëllait që më sheh nga xhami i reanimacionit i përlotur i tëri,
s’dëgjoj asnjë fjalë shqip, ....vetëm gjuhë të huaj (turqisht).
Doktorët komunikojnë më njëri tjetrin me shumë fjali, por unë...unë s’kuptoj asgjë.
Mora vesh se qenkam në pritje të një zemre tjetër, kjo e imja paska kapur virus L...
Në fakt kisha ditë që po dëgjoja se kisha nevojë të më transplantohej një zemër tjetër.
Një jetë tjetër pritet të më japë mua jetë! Po ç’është kjo?!
Kam një muaj që mbaj shpresën e të pashpresit,
Tek një i aksidentuar, tek një organ-falës....tek një njeri i Perëndisë...
Kam një muaj që po vuaj sa nuk kam vuajtur më parë.
Herë-herë më vjen një djalë shqiptar (Shpendi) e mundohet të më shpjegojë me fjalë të thjeshta se ç’po ndodh me mua, duke u munduar të më japë dhe shpresë....
Por unë e kuptoj shumë qartë. S’mund të ma fshehë asnjeri, unë e shoh veten, shoh mimikën e njerëzve që përpiqen të më shërojnë.....Eh.... nuk ka shpresë.
Shpresë time s’mund ta mbaj tek një i pashpresë tjetër

... Eh... shkova, ika....
Jam 24 vjeç,
Kam shijuar pjesën më të paktë të jetës,
Po ç’qenka jeta...? Enigmë qe, enigmë mbeti, dhe kam frikë se edhe pas meje enigmë do të mbetet.
Më janë skuqur sytë nga lotët, nga vuajtja që për fatin tim të keq më qenka mbledhur e gjitha për këtë periudhë që s’e kuptoj se kur do të mbarojë... qoftë për mirë qoftë për keq.
Më është fryrë i gjithë trupi... s’kam qenë ndonjëherë kaq i shëndoshë,
Thonë se problemet e zemrës më kanë sëmurur edhe veshkat.... Ah sëmundje mbi sëmundje.

... Prek sipërfaqen e trupit tim dhe shoh që shenja e gishtit më mbetet thelle në mish...
Dhembja më është bërë pjesë e trupit.
Nuk më bën më përshtypje,
nuk e mendoj më se po e lë këtë botë,
nuk e mendoj më si më parë ikjen,
.... Më duket sikur në një moment do të më mbyllen sytë krejt natyrshëm ... dhe do t’i hap diku tjetër.
Nuk do të shoh spital apo doktorë, por lëndina, lule, lumenj e gjëra të tjera shumë të bukura,
Nuk kam frikë!
Tani nuk kam më frikë,
Mendja më duket sikur sa vjen e kthjellohet më shumë, megjithëse të tjerëve që kam përreth nuk u duket aspak kështu.
.....Shoh vetëm imazhe të zbehta të njerëzve me bluza të bardha dhe blu
I kujtoj prej diku, e megjithatë nuk po kthjellohem më,
Më duket se po i afrohem hyjnores,
asaj  që e dija vetëm teorikisht.
Kisha ca dëshira të fundit por vëllait nuk mundem t’i flas më, s’kam fuqi, s’kam kohë, s’kam zemër...
Të paktën t’i thoja lamtumirë doja, por për dreq atë edhe nuk e lënë të më rrijë pranë në çastet e fundit të mijat...
Sa do doja të kisha edhe një ditë të bukur në këtë botë që hyra dhe po dal vetëtimthi!
Sa do doja që im-vëlla të mos derdhte lot... Arrij t’i dëgjoj të qarat e tij në koridor, megjithëse mure të trasha na ndajnë..
Eh sa shumë gjera do doja.... Por s’kam kohë t’i shpreh... S’kam...
Tani po më duket se s’po ndjej më dhimbje, më duket se po qetësohem, më duket se po më vjen gjumë, më duket se më në fund do të kem pak qetësi... Ah sa më kishte marrë malli..., kisha një muaj që m’u duk si një jetë e tërë, jo nga kjo e imja ama... një jetë 100 vjeçare...
Eh....Lamtumirë atëherë,
Ah se mos e lë pa thënë edhe këtë...
Shijojeni jetën, lumturinë, të mirën.... atë që mua fatkeqësisht mua mu dha e kufizuar.
Lamtumirë....