Tuesday, November 15, 2011

KËRKOJ VETVETEN NËPËR NATË...

KËRKOJ VETVETEN NËPËR NATË...
Ditar nga mendja e një të riu që ndërroi jetë në 2006-ën në një spital të Ankarasë


... U bënë plot një muaj që dergjem në shtratin e një spitali,
E ndjej që vështirë se do të më lëshojë.
Jam i tëri në djersë të ftohta krejt akull, e megjithëse është dimër e ftohtë, çuditërisht mua më mbajnë me kompresa e me dritare hapur sepse po digjem i tëri përbrenda...
Frymëmarrja dalë ngadalë po më shpejtohet aq shumë sa nuk më lë të marr një sy gjumë...
S’shoh asnjeri nga të mitë veç vëllait që më sheh nga xhami i reanimacionit i përlotur i tëri,
s’dëgjoj asnjë fjalë shqip, ....vetëm gjuhë të huaj (turqisht).
Doktorët komunikojnë më njëri tjetrin me shumë fjali, por unë...unë s’kuptoj asgjë.
Mora vesh se qenkam në pritje të një zemre tjetër, kjo e imja paska kapur virus L...
Në fakt kisha ditë që po dëgjoja se kisha nevojë të më transplantohej një zemër tjetër.
Një jetë tjetër pritet të më japë mua jetë! Po ç’është kjo?!
Kam një muaj që mbaj shpresën e të pashpresit,
Tek një i aksidentuar, tek një organ-falës....tek një njeri i Perëndisë...
Kam një muaj që po vuaj sa nuk kam vuajtur më parë.
Herë-herë më vjen një djalë shqiptar (Shpendi) e mundohet të më shpjegojë me fjalë të thjeshta se ç’po ndodh me mua, duke u munduar të më japë dhe shpresë....
Por unë e kuptoj shumë qartë. S’mund të ma fshehë asnjeri, unë e shoh veten, shoh mimikën e njerëzve që përpiqen të më shërojnë.....Eh.... nuk ka shpresë.
Shpresë time s’mund ta mbaj tek një i pashpresë tjetër

... Eh... shkova, ika....
Jam 24 vjeç,
Kam shijuar pjesën më të paktë të jetës,
Po ç’qenka jeta...? Enigmë qe, enigmë mbeti, dhe kam frikë se edhe pas meje enigmë do të mbetet.
Më janë skuqur sytë nga lotët, nga vuajtja që për fatin tim të keq më qenka mbledhur e gjitha për këtë periudhë që s’e kuptoj se kur do të mbarojë... qoftë për mirë qoftë për keq.
Më është fryrë i gjithë trupi... s’kam qenë ndonjëherë kaq i shëndoshë,
Thonë se problemet e zemrës më kanë sëmurur edhe veshkat.... Ah sëmundje mbi sëmundje.

... Prek sipërfaqen e trupit tim dhe shoh që shenja e gishtit më mbetet thelle në mish...
Dhembja më është bërë pjesë e trupit.
Nuk më bën më përshtypje,
nuk e mendoj më se po e lë këtë botë,
nuk e mendoj më si më parë ikjen,
.... Më duket sikur në një moment do të më mbyllen sytë krejt natyrshëm ... dhe do t’i hap diku tjetër.
Nuk do të shoh spital apo doktorë, por lëndina, lule, lumenj e gjëra të tjera shumë të bukura,
Nuk kam frikë!
Tani nuk kam më frikë,
Mendja më duket sikur sa vjen e kthjellohet më shumë, megjithëse të tjerëve që kam përreth nuk u duket aspak kështu.
.....Shoh vetëm imazhe të zbehta të njerëzve me bluza të bardha dhe blu
I kujtoj prej diku, e megjithatë nuk po kthjellohem më,
Më duket se po i afrohem hyjnores,
asaj  që e dija vetëm teorikisht.
Kisha ca dëshira të fundit por vëllait nuk mundem t’i flas më, s’kam fuqi, s’kam kohë, s’kam zemër...
Të paktën t’i thoja lamtumirë doja, por për dreq atë edhe nuk e lënë të më rrijë pranë në çastet e fundit të mijat...
Sa do doja të kisha edhe një ditë të bukur në këtë botë që hyra dhe po dal vetëtimthi!
Sa do doja që im-vëlla të mos derdhte lot... Arrij t’i dëgjoj të qarat e tij në koridor, megjithëse mure të trasha na ndajnë..
Eh sa shumë gjera do doja.... Por s’kam kohë t’i shpreh... S’kam...
Tani po më duket se s’po ndjej më dhimbje, më duket se po qetësohem, më duket se po më vjen gjumë, më duket se më në fund do të kem pak qetësi... Ah sa më kishte marrë malli..., kisha një muaj që m’u duk si një jetë e tërë, jo nga kjo e imja ama... një jetë 100 vjeçare...
Eh....Lamtumirë atëherë,
Ah se mos e lë pa thënë edhe këtë...
Shijojeni jetën, lumturinë, të mirën.... atë që mua fatkeqësisht mua mu dha e kufizuar.
Lamtumirë....





Wednesday, September 7, 2011

Me kë e ka Nietzsche, kujt i thotë? ..

@mhulkicevizoglu


Padishah Vahdettin (i viteve 1920, sulltani i 36. i Shtetit Osman), kur ishte në mërgim në San Remo, i shkroi një letër Presidentit të Shteteve të Bashkuara. 
Sot do të ndaja një letër me ju.
Zgjedhjet a mund të bekohen?
Në Turqi, herë pas here mbahen zgjedhje.
Zgjedhjet bekohen si i vetmi kusht për demokracinë.
Njerëzit shkojnë në zgjedhje, shoqatat shkojnë në zgjedhje, gjyqtarët shkojnë në zgjedhje, pra nga të na shohësh jemi të mbështjellë me "demokraci! .."
Pastaj shohim rezultatet! ..
Shikoni, filozofi gjerman Nietzsche ka lodhur mendjen (Nietzsche) në këtë drejtim, ka thënë një fjalë vezulluese në lidhje me zgjedhjet. Sigurisht, është edhe shumë e diskutueshme.
Nietzsche thotë;
"Një shoqëri injorante, edhe nëse lihet e lirë dhe i jepet e drejta për votë në zgjedhje, kurrë s’do të mund të bënte zgjedhje të lira”.
Vetëm sa imagjinon se po bën zgjedhje të lirë.
Të bësh zgjedhje me njerëz të paditur është njëlloj sikur t’i vësh përpara dhjetëra libra një shoqërie analfabete dhe t’i thuash “Cilin libër do të lexosh”, pra kaq qesharake!
Ata që vijnë në pushtet nga zgjedhje të tilla, vjedhin sovranitetin e popullit duke luajtur teatrin dhe janë mashtrues dhe tradhtarë mizorë! "
Mizore dhe matrapazë! ..
Tani këto fjalë për "fituesin" e zgjedhjeve mund të interpretohet si "të rreme dhe fyerje për publikun", ndërsa për "humbësin" e zgjedhjeve mund të interpretohen "Sa të drejta që thotë"...
Le të lemë për një moment Turqinë, le të shohim Irakun.
Kryeministri irakian Maliki po viziton disa vende, përfshirë dhe Turqinë. Sipas mediave "kërkon ndihmë për krijimin e qeverisë! .."
Pse?
Votën e përdor populli i Irakut dhe qeverinë do ta vendosë Turqia apo Egjipti?
Pra, u bënë zgjedhjet në Irak dhe ç’ndodhi?
Në vende të tilla si Iraku, "zgjedhjet" a tregojnë se janë "demokraci"?
Në këtë vend dje "zgjedhjet" bëheshin nën ndikimin e Sadamit ndërsa sot nën ndikimin e  Shteteve të Bashkuara..
A janë këto zgjedhje demokratike? ...
Për vende të tilla a mund të themi se "meqë po bëhen zgjedhjet, ka demokraci "?
Si e thoshte Nietzsche?
“Një shoqëri injorante, edhe nëse lihet e lirë dhe i jepet e drejta për votë në zgjedhje, kurrë s’do të mund të bënte zgjedhje të lira”.
Vetëm sa imagjinon se po bën zgjedhje të lirë.
Po mirë, ata që "vijnë në pushtet" a janë legjitimë?
Le të shohim përsëri se ç’thotë Nietzsche?
Ata që vijnë në pushtet nga zgjedhje të tilla, vjedhin sovranitetin e popullit duke luajtur teatrin dhe janë mashtrues dhe tradhtarë mizorë! "
Mizore dhe matrapazë! .. 

Wednesday, May 25, 2011

SA DO TË DOJA TË ISHA NJË PREJ VOTAVE TË SHENJTA



Që nga fillimi i fushatës së vendoreve nuk kemi parë asnjë hall tjetër veç tyre. Gjithë kohës kemi qenë në rolin e arbitrit se kush foli më bukur, kush foli më bindshëm, kush bërtiti më shumë. Dëgjoje gjithandej “Ah sa mirë ia bëri filani filanit”, “E dëgjuat si i tha?”, “Ah i lumtë goja sa mirë ia bëri ai atij”, “Fjalë me vend”, “Burrë i mençur”!”
Tmerr! Na bllokoi trurin dhe gjithçka tjetër, kohën, punën, zellin, etj. Ishte një periudhë skandaloze.
Faza e dytë ishte ajo e zhvillimit të zgjedhjeve që bëri shumë shqiptarë të bien në peshë, t’u bjerë tensioni, t’u ngrihen nervat, herë-herë të grinden, e ku di unë se çfarë.
Ah sa do të doja që të kisha mundësi të kisha vlerën e jo 300 votave të “shenjta” që u numëruan nga kutitë e gabuara, por sa një prej tyre. Sa do të doja që e gjithë vëmendja e palo-palëve politike e grumbulluar mbi një votë të vetme, të grumbullohej tek një individ i pastrehë, tek një i ngujuar, tek një jetim, tek një lypës.... Sipas tyre, “Vota është e shenjtë”, po individi? “...hmmmm, po lëreni këtë muhabet, ç’i keni këto”, do thoshte ndonjë militant apo vetë ata që garojnë.
Po më thoni, si mund të lihet ky muhabet, kur është fare e qartë që vota përdoret dhe nuk vlerësohet? Njerëzit e shkretë kanë aq shumë nevoja dhe u ikën gjithë jeta duke parë një herë këtej e një herë andej e duke ndjekur debatet se kush do t’i shërbejë më mirë popullit. Po gjepura pra! T’i dëgjosh palët se çfarë thonë, a thua se këta kanë vendosur ta bëjnë parajsë vendin! Po jo more zotërinj, nuk e duam parajsë! Duam vetëm të jetë një vend normal për të jetuar! Gjithsesi do t’i shohim, me kohën do të dalë çdo gjë në shesh.
Kriza e lodhshme dhe e neveritshme politike shpresoj të jetë kalimtare, pasi ndryshe, kriza në familjet shqiptare do të zgjasë sa dyfishi i të parës. Kjo krizë e familjes shqiptare, që për mendimin tim është e qëndrueshme dhe shqetësuese, duhet menduar dhe trajtuar shumë seriozisht nga çdo intelektual shqiptar. Alarmin e kësaj çështjeje mund ta shihni fare qartë tek familjet që kanë fëmijë përdorues të drogës, alkoolit e duhanit. Në këtë pikë do të doja që të kishim si gjithnjë mbështetjen e “dadove të huaja”, që na janë bërë burri i shtëpisë dhe pa përkujdesjen e tyre nuk mund të bëjmë.
Kaq të paaftë duket se jemi?! Kur vjen puna për të gjetur fjalën apo për të ecur me logjikë, nuk besoj se ka mbi zgjuarsinë tonë. Të paktën, kështu gënjejmë veten. E keqja e vetme është se nuk na ecin gjërat. Jemi të pafat. E shihni sa qesharake tingëllojnë dy fjalitë paraardhëse? Kushdo që sheh edhe të kaluarën tonë, zbulon me lehtësi se nuk është puna se jemi të pafat apo jo të zgjuar, apo nuk na ecin punët...
E keqja është te dembelizmi dhe mos-përkushtimi, që i kemi shokë të pandarë. Kemi qejf kafenetë dhe jo punën, kemi qejf të bredhim aty-këtu dhe të fitojmë lekë pa mund e djersë; nuk kujdesemi për familjen. Kujtoni pak: “Burrat nën hije lozin kuvendojnë, Pika qe s’u bie se nga gratë rrojnë” dhe ju lutem shihni ngjashmëritë në familjen e sotme shqiptare. Mos do ishte më mirë të na i zgjidhnin hallet gratë?! Për nder, logjike më duket.
“Çdo votë lexohet dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohet” është një nga ato shprehjet klasike të kohëve të fundit që të bën të mendosh se vota vërtet është e shenjtë. Po pse more, a nuk ka bërtitur zëri i qytetarit dhe fshatarit të gjorë, sa është çjerrë?! Qytetari i ka shprehur shumë qartë dhe po bërtet dita-ditës fort e më fort për hallet e tij, për vetëvrasjet që kanë kanosur shumë familje, për varfërinë e papunësinë që i shtyn njerëzit drejt vendimeve ekstreme. Ky po që është zëri i qytetarit dhe fshatarit, por jo demagogjitë e të dy palëve që na hiqen si të dërguar të Zotit!
Do t’u lutesha të gjithëve që në radhë të parë të shohin dhe vlerësojnë çdo aspekt të zërit të tyre. Të mendojnë interesin publik dhe jo vetjak. Shite votën për 5 Lekë dhe duroje kandidatin të të vjedhë për 5 vjet.
Tashmë që zëri i qytetarit u dëgjua, besoj se zëri i qytetarit kaq ishte. Hallet e tyre? Shohim e bëjmë në mandatin tjetër. Këtej e tutje të shohim se sa është dëgjuar ai zë, që në fakt është dëgjuar gjithmonë, por me veshë të shurdhër. Prandaj ngul këmbë që “do të doja të vlerësohesha dhe dëgjohesha sa një prej votave të shenjta”, të dëgjohesha qoftë edhe një herë kaq fuqishëm.

Thursday, May 19, 2011

SHIH RRUSHI MOLLËN E PIQET DARDHA NË MAJË TË PLEPIT!

SHIH RRUSHI MOLLËN E PIQET DARDHA NË MAJË TË PLEPIT!
E kam përdorur disa herë këtë shprehje në vend të “Shih rrushi rrushin e piqu”, por asnjëherë nuk ka qenë më me vend se sa në përshkrimin e gjendjes aktuale sociale të krijuar në vend. E ndjek dhe ndjej me mjaft shqetësim atë çka po ndodh në tërësi në Shqipëri. Njerëz të të gjitha shtresave të shoqërisë, që kanë halle jetike nga më të ndryshmet, i kanë harruar të gjitha dhe jetojnë vetëm me një shqetësim, atë të zgjedhjeve. Po sa vlerë paskan pasur xhanëm!
Nuk mund të them që zgjedhjet nuk kanë vlerë, por s’mund të kyçemi para televizionit duke parë procesin çdo çast,duke humbur nga koha, nervat dhe morali ynë. Ah se mos harroj, po... ky proces ka vetëm një anë pozitive: Çdokush mëson se ç’ka mbi krye.
Për të qenë i sinqertë tashmë zgjedhjet duhet dhe po shqetësojnë vetëm një grusht njerëzish, sepse po u lëkundet kolltuku. Por unë s’kam në fokus atë grup, por anën tjetër të medaljonit. E kam më shumë përqendrimin tek spektatorët e pafajshëm, ata që shqetësohen për hallet e atyre që i kanë zgjidhur hallet.
Themi shpesh që njeriu i mençur duhet të lexojë jetën, të kuptojë nga duhet të ecë, çfarë duhet të bëjë, si duhet të reagojë. Tashmë situatën aktuale të plotësuar prej kohësh falë medias, të cilën “e falënderoj” që ka lënë të gjitha programet e tjera dhe njerëzit pa punë, e i është futur me noçkë transmetimit të gjithçkaje mbi zgjedhjet, situatën e krijuar vetëm nga një grusht njerëzish të papërgjegjshëm, ku s’kam ndërmend të bëj asnjë dallim. Përfitoj nga rasti të them se televizionet kur të gjejnë pak kohë të lirë, u lutem të transmetojnë edhe ndonjë program kulturor, ndonjë film vizatimor të dubluar për fëmijët e mi, apo programe të tjera argëtuese brenda etikës mediatike që as që bëhet fjalë të kenë ekzistuar këtu e njëzetë vjet të shkuara, që nga programet strategjike sociale të TVSH në kohë e vakt.
Shumëkush do ta vlerësonte si një kaos, por në fakt kemi të bëjmë vetëm me diçka artificiale, një bllokim me dashje të rrugëzgjidhjeve, për të cilat kemi më shumë nevojë se kurrë.
Kush e tha që me kaos, kryeneçësi, mos-lënie të asnjë shtegu, debate destruktive, ide vetëm të njëanshme, mbrojtje të interesave personale mund të shkohet gjëkundi?! Po mirë, dua të pyes secilin: realisht a ju duket që jemi në një situatë që po ndërlikohet e po stërzgjatet, në një kohë që mund të zgjidhet fare lehtë me tolerancë?! Ajo që i kam këshilluar vetes dhe personave që kam përreth është që të jenë pro ekuilibrit shoqëror, pro rregullit jo të imponuar, qetësisë, pasi zgjidhjet më të mira janë ato që vendosen në rast qetësie.
Kam arritur të lexoj mendjen e shumë shqiptarëve deri më tash. Shoh fytyra të ngrysura e  të lodhura nga debatet që nisin e mbarojnë në kanale televizive, që përfitoj nga rasti t’i falënderoj” për përkushtimin e tyre në servirjen e debateve dhe vetëm debateve që në fund të fundit asnjëherë nuk do të arrijnë të kenë vlerën e informacioneve apo emisioneve ekonomike. Të gjithë duken mjaft të lodhur nga gjëra që në fakt mund të shmangen fare lehtë nga ai grusht njerëzish, pa bërë asnjë dallim krahu, që ua kanë ndikuar aq shumë jetën njerëzve.
Arrijmë të kuptojmë që tashmë është bërë virtyt mashtrimi, vjedhja, shkelja e ligjit dhe përshtatja e tij sipas mendjes së ndritur të dikujt. Ndërsa nga ana tjetër do të quheshe naiv nëse falje apo do të kishe guximin të kërkoje falje, të heshtësh në momente kur duhet të heshtësh, të bëje mirë, apo të kishe virtyte, që në fund të fundit jam radikal në mendimin se shoqëria do të ecte qetë dhe në ekuilibër vetëm mbi shina.
Sa do të doja që të shihnim një tjetër panoramë të parisë sonë. E quaj pari pasi s’dua të përmend terma që tashmë janë bërë kallëpe mjaft të mërzitshme për të gjithë ne. Kjo panoramë që doja të shihja është një buzëqeshje që u vjen nga brenda palëve që me vetëdije apo pa vetëdije, po ndikojnë çdo qelizë të familjeve shqiptare.
Thinjat e para i shoh që më kanë dalë, dhe më bëjnë të kujtoj se jeta nuk ndalet, rrëshqet pandalshëm. Ndjej që gjersa nuk jemi të përjetshëm, kemi nevojë për pak qetësi, kemi nevojë që ta shohim tjetrin ashtu siç do të donim të na shihnin të tjetër ne, kemi nevojë që herë-herë të marrim guximin e t’i themi tjetrit “më fal”, faleminderit, të lutem, pra pikërisht ato terma që fëmijët tanë s’do të mund t’i mësojnë kurrë pasi po ua ushqejmë si shenjë dobësie e naiviteti; kemi nevojë që fëmijët t’i vendosim para televizorit për të parë diçka të bukur diçka që do të na jepte kënaqësi sa herë e kujtojmë apo e shohim, kemi nevojë të qëndrojmë larg trazirës...
A e merrni me mend që me steriotipet e shoqërisë sonë nuk mund të bëhemi optimistë për brezat që vijnë?! Im bir tashmë që është 2 vjeç sheh dhe kopjon shumë shpejtë çdo gjë që shoqëria jonë i ofron. Jam i vetëdijshëm që ai nga unë mëson vetëm pak, pasi shumicën e gjërave i mëson aty këtu në shoqëri, mbi të gjitha në televizion apo media.
Ajo që do bëj këtej e tutje është që do të krijoj një botë inekzistente për dy fëmijët e mi, me të vërteta joreale, pra do ta mashtroj duke u thënë e shpjeguar gjera që ne fakt tashmë ndodhen vetëm në ëndrra. Dhe kjo do të vazhdojë gjersa të bindem se shoqëria po i afrohet qetësisë, ekuilibrit shpirtëror dhe moral, kur të shoh që po i largohemi steriotipeve dhe i kemi flakur tej, e kemi bërë një botë më të bukur.
E di shumë mirë që shumëkush çon nëpër mend “Po ç’janë këto ëndrra, jemi të detyruar të jetojmë në realitet”! Por jo! S’duhet harruar që realitetin e bëjmë ne njerëzit, askush tjetër. Të mos ketë asnjeri ndrojtje të shfaqë mendimin e tij konstruktiv te gjithkush. Kallëpet e rregullave që kemi në ndërgjegje ekzistojnë, nuk vdesin por rrinë fshehur ndoshta, të shtypur nga realiteti i hidhur që e përsëris është krijuar nga një grusht njerëzish. Ndërgjegjja na thotë “Bëj atë që do të doje që të tjerët të ta bëjnë ty”.
Më thotë një dekan i një universiteti në kryeqytet: Njerëzit kryeneçë, me post e para janë si plepi, pavarësisht se duket madhështor nëse thyhet nga era nuk ka fuqi njerëzore që t’i drejtojë e ta çojë në vend. Por njerëzit e thjeshtë janë si bima, era vetëm i përkul por nuk i thyen.
Të gjithë njerëzit e mençur duan qetësi, qetësi dhe vetëm qetësi në këtë jetë me fund, që s’ia vlen për asnjë çast as të mërzisësh dhe as të mërzitesh nga dikush, pasi çdo çast është i florinjtë...
Prandaj le të mos jemi për njëri tjetrin “si rrushi që sheh mollën, e që bën të piqet dardha në majë të plepit”. Le ta shohim njeri-tjetrin, ta këshillojmë në të mirë që të piqemi për të qenë të dobishëm për shoqërinë dhe veten.

shpendgjana@gmail.com