Thursday, May 19, 2011

SHIH RRUSHI MOLLËN E PIQET DARDHA NË MAJË TË PLEPIT!

SHIH RRUSHI MOLLËN E PIQET DARDHA NË MAJË TË PLEPIT!
E kam përdorur disa herë këtë shprehje në vend të “Shih rrushi rrushin e piqu”, por asnjëherë nuk ka qenë më me vend se sa në përshkrimin e gjendjes aktuale sociale të krijuar në vend. E ndjek dhe ndjej me mjaft shqetësim atë çka po ndodh në tërësi në Shqipëri. Njerëz të të gjitha shtresave të shoqërisë, që kanë halle jetike nga më të ndryshmet, i kanë harruar të gjitha dhe jetojnë vetëm me një shqetësim, atë të zgjedhjeve. Po sa vlerë paskan pasur xhanëm!
Nuk mund të them që zgjedhjet nuk kanë vlerë, por s’mund të kyçemi para televizionit duke parë procesin çdo çast,duke humbur nga koha, nervat dhe morali ynë. Ah se mos harroj, po... ky proces ka vetëm një anë pozitive: Çdokush mëson se ç’ka mbi krye.
Për të qenë i sinqertë tashmë zgjedhjet duhet dhe po shqetësojnë vetëm një grusht njerëzish, sepse po u lëkundet kolltuku. Por unë s’kam në fokus atë grup, por anën tjetër të medaljonit. E kam më shumë përqendrimin tek spektatorët e pafajshëm, ata që shqetësohen për hallet e atyre që i kanë zgjidhur hallet.
Themi shpesh që njeriu i mençur duhet të lexojë jetën, të kuptojë nga duhet të ecë, çfarë duhet të bëjë, si duhet të reagojë. Tashmë situatën aktuale të plotësuar prej kohësh falë medias, të cilën “e falënderoj” që ka lënë të gjitha programet e tjera dhe njerëzit pa punë, e i është futur me noçkë transmetimit të gjithçkaje mbi zgjedhjet, situatën e krijuar vetëm nga një grusht njerëzish të papërgjegjshëm, ku s’kam ndërmend të bëj asnjë dallim. Përfitoj nga rasti të them se televizionet kur të gjejnë pak kohë të lirë, u lutem të transmetojnë edhe ndonjë program kulturor, ndonjë film vizatimor të dubluar për fëmijët e mi, apo programe të tjera argëtuese brenda etikës mediatike që as që bëhet fjalë të kenë ekzistuar këtu e njëzetë vjet të shkuara, që nga programet strategjike sociale të TVSH në kohë e vakt.
Shumëkush do ta vlerësonte si një kaos, por në fakt kemi të bëjmë vetëm me diçka artificiale, një bllokim me dashje të rrugëzgjidhjeve, për të cilat kemi më shumë nevojë se kurrë.
Kush e tha që me kaos, kryeneçësi, mos-lënie të asnjë shtegu, debate destruktive, ide vetëm të njëanshme, mbrojtje të interesave personale mund të shkohet gjëkundi?! Po mirë, dua të pyes secilin: realisht a ju duket që jemi në një situatë që po ndërlikohet e po stërzgjatet, në një kohë që mund të zgjidhet fare lehtë me tolerancë?! Ajo që i kam këshilluar vetes dhe personave që kam përreth është që të jenë pro ekuilibrit shoqëror, pro rregullit jo të imponuar, qetësisë, pasi zgjidhjet më të mira janë ato që vendosen në rast qetësie.
Kam arritur të lexoj mendjen e shumë shqiptarëve deri më tash. Shoh fytyra të ngrysura e  të lodhura nga debatet që nisin e mbarojnë në kanale televizive, që përfitoj nga rasti t’i falënderoj” për përkushtimin e tyre në servirjen e debateve dhe vetëm debateve që në fund të fundit asnjëherë nuk do të arrijnë të kenë vlerën e informacioneve apo emisioneve ekonomike. Të gjithë duken mjaft të lodhur nga gjëra që në fakt mund të shmangen fare lehtë nga ai grusht njerëzish, pa bërë asnjë dallim krahu, që ua kanë ndikuar aq shumë jetën njerëzve.
Arrijmë të kuptojmë që tashmë është bërë virtyt mashtrimi, vjedhja, shkelja e ligjit dhe përshtatja e tij sipas mendjes së ndritur të dikujt. Ndërsa nga ana tjetër do të quheshe naiv nëse falje apo do të kishe guximin të kërkoje falje, të heshtësh në momente kur duhet të heshtësh, të bëje mirë, apo të kishe virtyte, që në fund të fundit jam radikal në mendimin se shoqëria do të ecte qetë dhe në ekuilibër vetëm mbi shina.
Sa do të doja që të shihnim një tjetër panoramë të parisë sonë. E quaj pari pasi s’dua të përmend terma që tashmë janë bërë kallëpe mjaft të mërzitshme për të gjithë ne. Kjo panoramë që doja të shihja është një buzëqeshje që u vjen nga brenda palëve që me vetëdije apo pa vetëdije, po ndikojnë çdo qelizë të familjeve shqiptare.
Thinjat e para i shoh që më kanë dalë, dhe më bëjnë të kujtoj se jeta nuk ndalet, rrëshqet pandalshëm. Ndjej që gjersa nuk jemi të përjetshëm, kemi nevojë për pak qetësi, kemi nevojë që ta shohim tjetrin ashtu siç do të donim të na shihnin të tjetër ne, kemi nevojë që herë-herë të marrim guximin e t’i themi tjetrit “më fal”, faleminderit, të lutem, pra pikërisht ato terma që fëmijët tanë s’do të mund t’i mësojnë kurrë pasi po ua ushqejmë si shenjë dobësie e naiviteti; kemi nevojë që fëmijët t’i vendosim para televizorit për të parë diçka të bukur diçka që do të na jepte kënaqësi sa herë e kujtojmë apo e shohim, kemi nevojë të qëndrojmë larg trazirës...
A e merrni me mend që me steriotipet e shoqërisë sonë nuk mund të bëhemi optimistë për brezat që vijnë?! Im bir tashmë që është 2 vjeç sheh dhe kopjon shumë shpejtë çdo gjë që shoqëria jonë i ofron. Jam i vetëdijshëm që ai nga unë mëson vetëm pak, pasi shumicën e gjërave i mëson aty këtu në shoqëri, mbi të gjitha në televizion apo media.
Ajo që do bëj këtej e tutje është që do të krijoj një botë inekzistente për dy fëmijët e mi, me të vërteta joreale, pra do ta mashtroj duke u thënë e shpjeguar gjera që ne fakt tashmë ndodhen vetëm në ëndrra. Dhe kjo do të vazhdojë gjersa të bindem se shoqëria po i afrohet qetësisë, ekuilibrit shpirtëror dhe moral, kur të shoh që po i largohemi steriotipeve dhe i kemi flakur tej, e kemi bërë një botë më të bukur.
E di shumë mirë që shumëkush çon nëpër mend “Po ç’janë këto ëndrra, jemi të detyruar të jetojmë në realitet”! Por jo! S’duhet harruar që realitetin e bëjmë ne njerëzit, askush tjetër. Të mos ketë asnjeri ndrojtje të shfaqë mendimin e tij konstruktiv te gjithkush. Kallëpet e rregullave që kemi në ndërgjegje ekzistojnë, nuk vdesin por rrinë fshehur ndoshta, të shtypur nga realiteti i hidhur që e përsëris është krijuar nga një grusht njerëzish. Ndërgjegjja na thotë “Bëj atë që do të doje që të tjerët të ta bëjnë ty”.
Më thotë një dekan i një universiteti në kryeqytet: Njerëzit kryeneçë, me post e para janë si plepi, pavarësisht se duket madhështor nëse thyhet nga era nuk ka fuqi njerëzore që t’i drejtojë e ta çojë në vend. Por njerëzit e thjeshtë janë si bima, era vetëm i përkul por nuk i thyen.
Të gjithë njerëzit e mençur duan qetësi, qetësi dhe vetëm qetësi në këtë jetë me fund, që s’ia vlen për asnjë çast as të mërzisësh dhe as të mërzitesh nga dikush, pasi çdo çast është i florinjtë...
Prandaj le të mos jemi për njëri tjetrin “si rrushi që sheh mollën, e që bën të piqet dardha në majë të plepit”. Le ta shohim njeri-tjetrin, ta këshillojmë në të mirë që të piqemi për të qenë të dobishëm për shoqërinë dhe veten.

shpendgjana@gmail.com 

No comments:

Post a Comment