Wednesday, May 25, 2011

SA DO TË DOJA TË ISHA NJË PREJ VOTAVE TË SHENJTA



Që nga fillimi i fushatës së vendoreve nuk kemi parë asnjë hall tjetër veç tyre. Gjithë kohës kemi qenë në rolin e arbitrit se kush foli më bukur, kush foli më bindshëm, kush bërtiti më shumë. Dëgjoje gjithandej “Ah sa mirë ia bëri filani filanit”, “E dëgjuat si i tha?”, “Ah i lumtë goja sa mirë ia bëri ai atij”, “Fjalë me vend”, “Burrë i mençur”!”
Tmerr! Na bllokoi trurin dhe gjithçka tjetër, kohën, punën, zellin, etj. Ishte një periudhë skandaloze.
Faza e dytë ishte ajo e zhvillimit të zgjedhjeve që bëri shumë shqiptarë të bien në peshë, t’u bjerë tensioni, t’u ngrihen nervat, herë-herë të grinden, e ku di unë se çfarë.
Ah sa do të doja që të kisha mundësi të kisha vlerën e jo 300 votave të “shenjta” që u numëruan nga kutitë e gabuara, por sa një prej tyre. Sa do të doja që e gjithë vëmendja e palo-palëve politike e grumbulluar mbi një votë të vetme, të grumbullohej tek një individ i pastrehë, tek një i ngujuar, tek një jetim, tek një lypës.... Sipas tyre, “Vota është e shenjtë”, po individi? “...hmmmm, po lëreni këtë muhabet, ç’i keni këto”, do thoshte ndonjë militant apo vetë ata që garojnë.
Po më thoni, si mund të lihet ky muhabet, kur është fare e qartë që vota përdoret dhe nuk vlerësohet? Njerëzit e shkretë kanë aq shumë nevoja dhe u ikën gjithë jeta duke parë një herë këtej e një herë andej e duke ndjekur debatet se kush do t’i shërbejë më mirë popullit. Po gjepura pra! T’i dëgjosh palët se çfarë thonë, a thua se këta kanë vendosur ta bëjnë parajsë vendin! Po jo more zotërinj, nuk e duam parajsë! Duam vetëm të jetë një vend normal për të jetuar! Gjithsesi do t’i shohim, me kohën do të dalë çdo gjë në shesh.
Kriza e lodhshme dhe e neveritshme politike shpresoj të jetë kalimtare, pasi ndryshe, kriza në familjet shqiptare do të zgjasë sa dyfishi i të parës. Kjo krizë e familjes shqiptare, që për mendimin tim është e qëndrueshme dhe shqetësuese, duhet menduar dhe trajtuar shumë seriozisht nga çdo intelektual shqiptar. Alarmin e kësaj çështjeje mund ta shihni fare qartë tek familjet që kanë fëmijë përdorues të drogës, alkoolit e duhanit. Në këtë pikë do të doja që të kishim si gjithnjë mbështetjen e “dadove të huaja”, që na janë bërë burri i shtëpisë dhe pa përkujdesjen e tyre nuk mund të bëjmë.
Kaq të paaftë duket se jemi?! Kur vjen puna për të gjetur fjalën apo për të ecur me logjikë, nuk besoj se ka mbi zgjuarsinë tonë. Të paktën, kështu gënjejmë veten. E keqja e vetme është se nuk na ecin gjërat. Jemi të pafat. E shihni sa qesharake tingëllojnë dy fjalitë paraardhëse? Kushdo që sheh edhe të kaluarën tonë, zbulon me lehtësi se nuk është puna se jemi të pafat apo jo të zgjuar, apo nuk na ecin punët...
E keqja është te dembelizmi dhe mos-përkushtimi, që i kemi shokë të pandarë. Kemi qejf kafenetë dhe jo punën, kemi qejf të bredhim aty-këtu dhe të fitojmë lekë pa mund e djersë; nuk kujdesemi për familjen. Kujtoni pak: “Burrat nën hije lozin kuvendojnë, Pika qe s’u bie se nga gratë rrojnë” dhe ju lutem shihni ngjashmëritë në familjen e sotme shqiptare. Mos do ishte më mirë të na i zgjidhnin hallet gratë?! Për nder, logjike më duket.
“Çdo votë lexohet dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohet” është një nga ato shprehjet klasike të kohëve të fundit që të bën të mendosh se vota vërtet është e shenjtë. Po pse more, a nuk ka bërtitur zëri i qytetarit dhe fshatarit të gjorë, sa është çjerrë?! Qytetari i ka shprehur shumë qartë dhe po bërtet dita-ditës fort e më fort për hallet e tij, për vetëvrasjet që kanë kanosur shumë familje, për varfërinë e papunësinë që i shtyn njerëzit drejt vendimeve ekstreme. Ky po që është zëri i qytetarit dhe fshatarit, por jo demagogjitë e të dy palëve që na hiqen si të dërguar të Zotit!
Do t’u lutesha të gjithëve që në radhë të parë të shohin dhe vlerësojnë çdo aspekt të zërit të tyre. Të mendojnë interesin publik dhe jo vetjak. Shite votën për 5 Lekë dhe duroje kandidatin të të vjedhë për 5 vjet.
Tashmë që zëri i qytetarit u dëgjua, besoj se zëri i qytetarit kaq ishte. Hallet e tyre? Shohim e bëjmë në mandatin tjetër. Këtej e tutje të shohim se sa është dëgjuar ai zë, që në fakt është dëgjuar gjithmonë, por me veshë të shurdhër. Prandaj ngul këmbë që “do të doja të vlerësohesha dhe dëgjohesha sa një prej votave të shenjta”, të dëgjohesha qoftë edhe një herë kaq fuqishëm.

No comments:

Post a Comment