Friday, June 1, 2012

ETIKA DHE GAZETARIA INVESTIGATIVE




Përgatiti: Shpendi Gjana


 Tiranë, 27 Maj 2011

Universiteti “Hëna e Plotë”, BEDËR
Departamenti i Shkencave të Komunikimit
Fakulteti i Shkencave Humane


ETIKA DHE GAZETARIA INVESTIGATIVE
PROGRAMIT ALARM (ORA NEWS)

 




PËRMBAJTJA

ETIKA DHE GAZETARIA INVESTIGATIVE 
PROGRAMET INVESTIGATIVE DHE “ALARM” I ORA NEWS
1-   GAZETARIA INVESTIGATIVE
2-   SI ZHVILLOHET NJË HETIM GAZETARESK
3-   SHKURTIMISHT RRETH “SIMBOLIT ËIKILIKS”
4-   GAZETARIA INVESTIGATIVE NË SHQIPËRI
5-   PROGRAMET INVESTIGATIVE DHE EMISIONI ALARM
a.   RRETH EMISIONIT ALARM
b.   RASTI I VEÇANTË – SI E TRAJTON PARADËN LGBT EMISIONI ALARM DT. 17 MAJ 2012
c.    RASTI ABUZIV – “LEJE GJUETIE” PËR MË SHUMË PARA
6-   GJENDJA E MEDIAS NË VEND



ETIKA DHE GAZETARIA INVESTIGATIVE
PROGRAMI “ALARM” I ORA NEWS

GAZETARIA INVESTIGATIVE
Gazetaria investigative është një formë e gazetarisë në të cilën gazetarët hetojnë thellësisht një temë të vetme me interes publik, shpesh duke përfshirë krimin, korrupsionin politik ose aktet abuzuese të kompanive të mëdha apo korporatave. Një gazetar investigues mund të kalojnë muaj apo vite duke hulumtuar dhe përgatitur një raport. Gazetaria investigative është një burim shumë i rëndësishëm dhe kryesor i informacionit të detajuar. Gazetaria investigative zbatohet nga kanalet televizive, gazetat, Agjencitë e lajmeve - shërbimeve kabllore (Wire Services – NEWS Agencies) dhe gazetarëve të pavarur.
Ekspertët, konsulentët, mjekët apo doktorët nganjëherë përdorin termat “gazetari mbikëqyrëse”  ose “Raportim rreth përgjegjësisë apo llogaridhënies” për raste kur duhet të zbulojnë burime të një problematike të caktuar.
Gazetaria investigative është lajmi që shkon përtej lajmit të publikuar, një analizë më e thellë sesa ajo që duket, pra është gërmimi mbi atë çka të tjerët dëshirojnë ta mbajnë të fshehtë. Gazetar investigativ është ai që gërmon, zbulon pisllëkun dhe e bën atë publik. Megjithëse kjo lloj gazetarie mund të gëzojë apo hidhërojë grupe apo individë, megjithëse mund të shahen apo lavdërohen rezultatet e gazetarisë investigative janë të pashmangshme.
Një gazetar investigimi në një çështje apo histori të vetme mund të përdorë një ose më shumë nga elementët e mëposhtëm:
-          Analizë të dokumenteve, vlerësime të çështjeve ligjore, padive dhe dokumentave të tjera ligjore, kreh të dhënat rreth taksave, raporteve qeveritare, raporteve rregullatore dhe ndjeshmëria (e çështjeve) të korporatave apo kompanive;
-          Database të të dhënave publike;
-          Hetim të çështjeve teknike, që përfshin shqyrtimin e praktikave qeveritare dhe biznesit, si dhe efektet e tyre;
-          Kërkime në çështjet sociale dhe ligjore;
-          Intervista të shumta direkte të hapura dhe intervista me burime anonime. Mund të përmendim Rastin whistlebloëer (njeri që i bie bilbilit - që është një person që i tregon publikut ose autoriteteve rreth akteve të jashtëligjshme, të pandershme apo pa leje që ndodhin në një strukturë të qeverisë, një organizatë publike apo private apo një kompani);
-          Akte shtetërore që garantojnë Lirisë e Informacionit që garanton akses në dokumentet dhe të dhënat qeveritare. (Pra përdorin ligjërisht “të drejtën e informacionit”, që i jep gazetarit të drejtën të informohet dhe informojë duke mos u penguar dhe me kosto minimale. Mbi 90 vende të botës kanë një formë të një legjislacioni të tillë, por Shqipëria nuk bën pjesë mes tyre.  Suedia ka Aktin e lirisë së Mediave më të vjetër në botë, të vitit 1766.  Shumica e ligjeve të lirisë së informacionit  përjashtojnë  sektorin privat nga juridiksionin i tyre).  
-          Shfrytëzohen Burime kërkimore. (Rasti amerikan i LexisNexis - Grupi LexisNexis është ofrues shërbimesh kërkimore ligjore nëpërmjet kompjuterit. Gjatë viteve 1970, LexisNexis nisi të ofrojë akses elektronik të dokumenteve ligjore dhe gazetareske. Në vitin 2006, kompania kishte bazën më të gjerë të të dhënave elektronike në botë, përsa i përket informacionit ligjor dhe regjistrimeve publike.[1] Edhe ProPublica është një organizatë jo-fitimprurëse me bazë në Neë York City. Ajo e përshkruan veten si një redaksi e pavarur jo-fitimprurëse që prodhon gazetarinë investigative në interes të publikut. Në vitin 2010  u bë burimi i parë në internet I lajme që fiton çmimin Pulitzer prize, për një shkrim të një prej gazetarëve të saj dhe botuar në revistën New York Times  dhe në ProPublica.org. Hetimet kryhen nga një staf me kohë të plotë, gazetarë investigativë. Në disa raste,  ProPublica bashkëpunon me partnerë lajmesh mbi një çështje. ProPublica ka partneritet me më shumë se 90 organizata lajmesh si 60 Minutes, ABC World NEWS, Business Week, CNN, Los Angeles Times, The New York Times, Newsweek, USA Today, The Washington Post, MSNBC.com, etj.[2] Rritja e grupeve mediatike në SHBA që nga vitet 1980 është shoqëruar me shkurtime masive në buxheteve për gazetarinë investigative. Evidenca empirike për këtë është në përputhje me konfliktet e interesave mes burimeve të të ardhurave dhe grupet mediatike.[3]

SI ZHVILLOHET NJË HETIM GAZETARESK
Çdo gjë mund të nisë nga një ngjarje e thjeshtë, lajm në media apo ndonjë intervistë apo deklaratë e një personi publik. Ajo që merret në vëmendje është diçka që nuk i është kushtuar vëmendje nga publiku dhe media e ka trajtuar si lajm të thjeshtë vetëm në aspektin që e asaj dhe mbështetësve të saj u intereson. Që një gazetar të nisë një investigim ai duhet të ketë një njohje të qartë të kuadrit ligjor të vendit ku punon.
Zbulimi i panoramës që gjendet pas lajmit të parë kërkon fillimisht kërkim të thjeshtë në internet, intervistimin e një numri të madh njerëzish, ballafaqimin e intervistave me njëra-tjetrën dhe pastaj me administrimin e aspektit ligjor, ballafaqimin përfundimtar të palëve të përfshira në ngjarje dhe ballafaqimin e personave/institucioneve që mund të dëmtohen nga publikimi i lajmit me faktet.[4]
Që të bësh gazetarin investigativ, do të thotë të bësh një raportim siç bëjnë zakonisht gazetarët, po në këtë rast kemi zbatim të rregullave të gazetarisë profesioniste. Duhet një mënyrë paraqitëse e lajmit shumë e fortë, një stil i qartë, një vijë logjike, një kontroll i rreptë i fakteve.
Nëse gazetaria e përditshme mund të mjaftohet vetëm me pasqyrimin e ngjarjes pa u thelluar, dhe dëgjuesit/lexuesit e lajmit dhe të intervistuarit, veprojnë në shumicën e rasteve në mirëbesim; edhe interesi i palëve për të treguar të vërtetën nuk vihet në dyshim, gazetaria investigative është procesi i grumbullimit të informacionit të thelluar dhe dokumentimit të tij. Interesi i palëve për të treguar të vërtetën, vihet në dyshim. Pra interesi i palëve është ai që e bën publikun dyshues ndaj vërtetësisë së informacionit. Gazetarët investigativë kanë nevojë të dokumentojnë atë çfarë dinë, në mënyrë që nëse dikush preket nga lajmi i publikuar, gazetari të jetë në gjendje të garantojë vërtetësinë e lajmit edhe para gjykatës. Gazetarët investigativë ndryshojnë nga gazetarët e tjerë për shkak se kanë nevojë të shpenzojnë shumë më tepër kohë, burime madje edhe para gjyqit. Gazetari investigativ është ai që tenton të vështirësojë si kufijtë e ligjeve të gazetarisë profesionale ashtu dhe ato të etikës, duke e lënë shumë herë situatën mjaft të debatueshme.
Gazetaria investigative përshkruhet edhe si “lajmi përtej lajmit”. Që karakterizohet nga një analizë e thellë që është gërmim mbi atë çka të tjerët dëshirojnë ta mbajnë të fshehtë dhe që ka interesin dhe impaktin publik. Parime etike gazetareske  të lajmit investigativ zbatohen shumë më tepër sesa në lajmin e zakonshëm, qa më shumë kur lind nevoja të mbrohet burimi i informacionit.
Gazetari i fshehtë (undercover journalist) është një term i dalë gjatë viteve 60-70, si pasojë e protestave masive në rrugë, grupet militante të armatosura në shumë vende të Europës Perëndimore dhe krimi i organizuar apo i paorganizuar i pranishëm në rrugë, krijoi të ashtuquajturin "gazetarin e fshehtë". Një gazetar që përpiqet të grumbullojë informacion mbi aktivitetin e grupimeve të ndryshme politike apo kriminale, aktivitet që zhvillohet larg vëmendjes së publikut. Në këtë rast, gazetari nuk i thotë të intervistuarve se është gazetar dhe se janë nën intervistim. Një rast i tillë solli edhe “dështimin më të madh gazetaresk të shekullit të njëzet”, zbulimin e ditareve sekrete të Hitlerit, ditare që rezultuan pas kësaj të falsifikuar.[5]
Kjo pjesë e gazetarisë megjithëse mund të bëjë përgjime të fshehta me anë të kamerave apo përgjuesve të fshehtë, investigimi në shumicën e tij nuk përbehet nga këto elementë spiunazhi. Kjo detyrë shihet më shumë si një procedurë plot burokraci dhe me lodhje për t’i shkuar në fund. Rastet e përgjimit kanë të bëjnë më shumë për çështjet ku është mjaft e vështirë t’i dilet në fund me mënyrat tradicionale të kërkimit të gazetarisë investigative.
Një aspekt me mjaft rëndësi për median dhe gazetarin investigativ është dhënia e të drejtës së individit të prekur për tu mbrojtur në aspektet që lakohen si elementë të investigimit. Ky aspekt që ekziston edhe në gazetarinë e gjerë mund të çojë në përfundime shumë të rënda si për median ashtu dhe për gazetarin vetë.  Këto pasoja ligjore, që gazetaria investigative i ka parasysh gjatë gjithë punës së saj profesionale, mund të lindin edhe vetëm nga fakti i mosdhënies së të drejtës së fjalës personit të prekur. Kjo mund të rezultonte që nga një gjobë të majme e deri në heqje lirie sipas kuadrit ligjor të atij shteti.
Anglia përmendet shpesh në këtë aspekt për zbatim të rregullave më të ashpra në botë ndaj gazetarëve. Në këto raste gazetarët investigativë për t’i shpëtuar kësaj situate edhe nëse pala e prekur nuk prononcohet, gazetari  përdor teknikën e kërkesës së dokumentuar për intervistë dhe ballafaqimin e fakteve. Pra në këtë mënyrë vërtetohet se përpjekjet për ta kontaktuar janë bërë. Kërkesa e dokumentuar mund të jetë një email apo SMS, një faks ku shprehet qartë gjithçka rreth individit apo institucionit të prekur.
Nga një investigim mund të dalë në dritë një aspekt korruptiv i politikës, pandershmëri, lobing ekonomik, politika të dëmshme shoqërore, hipokrizi politike, etj. Fotografia në këtë drejtim ndihmon mjaft në aspekte të gazetarisë investigative. Kemi në botë raste të shumta ku rastet investigative të gazetarisë kanë rivendosur drejtësi, kanë ndryshuar kahun e ngjarjes, ka diskretituar individë VIP ose ka iniciuar hetime të mirëfillta gjyqësore.

SHKURTIMISHT RRETH “SIMBOLIT WIKILIKS”
Wikileaks prej kohësh ka shkundur thuajse të gjitha shtetet më të fuqishme të botës me publikimet e informacioneve të rrjedhura nga enigma. Aq shumë ndryshuan perceptimin për informacionin apo , gazetarinë sa që edhe e ardhmja e internetit nisi të shihej me dyshim. Ky rast që nxorri në dritë të diellit anë të errëta të diplomacive dhe marrëdhënieve brenda shteteve në botë nxorri shumë spekulime se kush fshihet pas këtij informacioni, i përndjekuri Julian Assange apo ndonjë forcë apo grup shumë më i madh. Në fakt gazetarë si Indiano-Amerikani Farid (Rafiq) Zakaria që shkruan në “Time”, mendojnë se “kjo nuk e ka dëmtuar fare SHBA-në”, por ka edhe nga ata që thonë të kundërtën.
Ka që thonë se vetë amerikanët i kanë nxjerrë këto dokumente. Wikileaks ka dhënë një kontribut të madh për informimin publik dhe është një shembull gjurmëlënës i gazetarinë investigative. Kjo faqe, pavarësisht se kush qëndron pas saj, mëson njerësit, mediat dhe vetë shtetet se nuk duhet të konsumojnë atë që u jepet.[6]
Mesazhi video i Julian Assange i publikuar në këtë faqe nxjerr në pah aspekte se si duan që këtë media të fuqizuar në një kohë mjaft të shkurtër vetëm nga informacione “bombë”, duan ta shuajnë me një strategji të veçantë por që gazetarisë investigative profesionale të tyre nuk u ka shpëtuar. Në këtë video tregohen disa nga miliona raste të zbuluara nga kjo organizatë mediatike jo-fitimprurëse dhe më pas përmend kompani si “Visa”, “Mastercard”, “PayPal”, “Western Union” dhe “Bank of America” që kanë lënë vetëm 5% të linjës jetike ose mbijetesës së Wikileaks. Me anë të medias kjo organizatë pretendon të ketë mbështetjen 100% të publikut dhe organeve mediatike në botë. “Join us in our struggle, Wikileakse needs you” është shprehja që Assange mbyll mesazhin e tij, që nënkupton mbështetjen e publikut të gjerë për të fituar betejën e të vërtetës.[7] “You win when the bastards can no longer hide” është një tjetër shprehje në faqen e parë të Wikileaks. Pra “Ju fitoni kur bastardët nuk kanë vend ku të fshihen”. Mund të themi që rasti Wikileaks përbën një rast unik në gazetarinë investigative.
 
GAZETARIA INVESTIGATIVE NË SHQIPËRI

Në raportin më të fundit të ‘Reporterët pa Kufij’(Reporters ëithout Borders) u publikua raporti për lirinë e shtypit në botë për vitin 2011- 2012, ku Shqipëria figuron në vendin e 96 me një zbritje prej 16 vendesh. Ky raport u komentua nga ekspertët se: “Kriza ekonomike ka theksuar problemet në Ballkan. Përdorimi i medias për interesa private dhe kriminale, konkurrencë të padrejtë në tregje, autocensurë nga ana një numri të madh gazetarësh të paguar” këto janë problemet që Reporterët pa kufij vërejnë në gazetarinë e vendeve të Ballkanit. Në raport theksohet diçka me rëndësi që ka të bëjë direkt me gazetarinë investigative “Drejtësia që ka personel me formim të dobët dhe është aleate me qeverinë dhe shpesh e korruptuar – duket më e interesuar të godasë median se sa t’i japë fund pandëshkueshmërisë së atyre që kërcënojnë ose sulmojnë fizikisht gazetarët” - nënvizon raporti.[8]  Në këtë rast sigurisht që ndikimi kryesor bie mbi gazetarët dhe mediat që tentojnë të zbardhin çështje që tentojnë të lëkundin politikën dhe të “Fortët”.
Në Shqipëri roli i gazetarisë investigative në zbulimin dhe denoncimin e korrupsionit po rritet, por kjo lloj gazetarie përballet me presione dhe kërcënime kur publikon raste të korrupsionit.
Në Progres raportin e sivjetëm të KE për ecurinë demokratike të Shqipërisë liria e shprehjes cilësohet “në përgjithësi e respektuar por me një progres të limituar.” Përjashtim bën vetëm gazetaria investigative e cila siç thekson raporti “ka forcuar rolin e saj në zbulimin dhe denoncimin e korrupsionit.” “Kjo gjë ka bërë të mundur që jo vetëm të tronditen segmentet e infektuara nga korrupsoni por të vihen në lëvizje edhe strukturat e drejtësisë” - thotë Çipa për programin shqip të Deutsche Welle-s.[9]
Kemi patur disa raste të bujshme në Shqipëri të zbuluara nga gazetaria investigative, që më pas ka hapur udhën për investigime të mëtejshme nga ana e institucioneve përkatëse madje kemi patur edhe rast të shkarkimit të një ish anëtarit të kabinetit Berisha. Raste të tilla janë mjaft inkurajuese për gazetarët dhe gazetarinë investigative që tu shkojnë çështjeve të drejta deri në fund.
  Gazetari i njohur Aleksandër Çipa në një intervistë të dhënë në lidhje me këtë aspekt për mbi gazetarinë dhe profesionin e gazetarit në Shqipëri, flet për një paradoks shqiptar ‘Liri pa Cilësi’ të medias. Në përgjithësi gazetarët janë ‘lojtarë të lëvizshëm’ të tregut mediatik. Sipas Çipës shumë gazetarë të formuar e profesionist një ditë të bukur e gjejnë veten në rrugë për shkak të pavarësisë në formimin e lajmit. Ai vlerëson se transformimi i gazetarit nga individ profesionist në një njeri rruge nuk duhet të ndodhë, pasi i bën ata të autoçensuruar dhe nga ai gazetar nuk mund të presësh më lajme të paanshme apo të vërteta. Ai (gazetari) më pas do të flasë me mendjen e pronarit të medias dhe interesat e tij vetjake apo grupale. E megjithëse kalon shkallë të ndryshme të karrierës gazetareske dhe sërish e gjen veten në rrugë.
Pra manipulimi i lajmit, e rrjedhimisht i opinionit publik kalon nga gazetari që e gjurmon lajmin dhe e përgatit për servirje sipas ‘mendjes’, ‘shijes’ dhe interesit maxhor të një mediumi, apo të pronarit me një autoçensurë ndoshta të padëshiruar. Sipas analistëve mediat shqiptare janë ende në një fazë të re dhe jo të pjekur profesionalisht kur flitet për gazetari investigative dhe atë në përgjithësi.  
Në emisionin politik ‘Prizëm’, të datës 30.01.2012 Në AS TV me gazetarin Aleksandër Furxhi u trajtua tema ‘Liria e Medias në Shqipëri’. Mes të ftuarve Skënder Minxhozi, Andrea Stefani, Edlira Gjonaj dhe Aleksandër Cipa u diskutua rreth rënies së lirisë së shtypit në Shqipëri. Sipas gazetarëve dhe analistëve, pavarësisht problemeve që po kalon media aktualisht, ajo po duke luajtur rolin e vet si një gur themeli për demokracisë.[10]
Skënder Minxhozi u shpreh se mediat shqiptare s'kanë hyrë ende thellë në gazetarinë investigative. Ai e konsideron median shqiptare ende të thjeshtë dhe në një fazë foshnjore. Ai e quan median një “licencë për gjueti”, që vërtetë s'e përdor por e ka në dorë ta bëjë. Ky term i Minxhozit ka të bëjë direkt apo tërthorazi me etikën e pasqyrimit të informacionit. Pra këtu një tjetër pikë e rëndësishme që trajton Minxhozi është fakti që ‘Berisha nuk hap gjyq ndaj gazetarëve dhe ka një mosreagim. Ai këtë gjendje e konsideron si një “puç” nga ana e Berishës. Dmth gazetarisë në dukje i jepet liri por politika nga ana tjetër me mënyrën e reagimit, që do të quhej më mirë një ‘mos-reagim’ sipas Minxhozit thotë: ‘Unë kam të drejtë mos të të dëgjoj fare; Ti fol se ke të drejtën dhe lirinë tënde, por edhe unë kam të drejtën të mos përgjigjem’.[11]
Edhe pse kemi të bëjmë me çështje me shumë rëndësi prapë nga ministritë preferohet që të mos jepet përgjigje. E ç'rëndësi mund të ketë në këtë liri të medias kur asaj i mohohet e drejta e informimit dhe marrjes së përgjigjeve? Një fakt i rëndësishëm është se pronarë të mediave janë lider partiakë dhe të tjerët janë biznesmenë. Ata ndjejnë presion nga politika.
Edlira Gjonaj në koment të raportit të “Reporterë pa Kufij” thotë se ashtu sikurse vendet fqinje të ngjashme me fqinj kemi problemin e modelimit të informacionit apo lajmit. Info vjen i gatshëm ose qeveria, politika të tregon mënyrën e selektuar lajmin që duhen dhënë. Pas një pjese të mirë të mediave janë biznese dhe pas të tjerash fshihen politikanë.   
            Nisma e Berishës e publikuar shumë herë në lidhje me ‘Mosdërgimin e asnjë gazetari në gjyq’ nuk shihet si tregues i mirë nga shumica e analistëve. Kjo sipas tyre duket qartë që është një pakt i heshtur që nënkupton se Berisha dëshiron t’ja çojë mirë me ta. Pra, sërish në heshtje, kemi të bëjmë me një minimizim të medias nga ana e politikës.

PROGRAMET INVESTIGATIVE DHE EMISIONI ALARM
Duke u nisur nga thënia e Skënder Minxhozit që media konsiderohet si një “Licencë për Gjueti” që vërtetë s'e përdor por e ka në dorë ta bëjë, duhet të theksojmë qe emisione të guximshme investigative si “Fiks Fare” në Top Channel, “Xhungël” në NEWS 24, apo alarm në Ora NEWS dhe me ritransmetim në Channel Onë janë emisione që kanë në dorë një fuqi që mund ta përdorin në dy drejtime. Gjuetia mund të aplikohet si e drejtë për të informuar publikun në bazë të parimeve bazë të medias, që për këtë anë nuk kemi përse të mos i admirojmë, por mund të aplikohet edhe si mjet shantazhi (nga media të vetëdijshme ose jo për fuqinë e tyre në brumosjen e opinionit publik) ndaj forcave të ndryshme në treg ku nëpërmjet këtij mekanizmi bën “beben qaramane” për të realizuar synime financiare dhe për të rritur vlerën e saj në status tregu. Sipas analistit Andrea Stefani në të dyja rastet kërcënimet ndaj gazetarëve dhe nxitësve të tyre në gjurmimin e “informacionit planprishës” janë të shumta dhe ata nuk duan tu shkojnë gjërave deri në fund pasi “nuk dihet se ku del koka e kësaj pune”.
Dhunohen gazetarët e Ora NEWS tek Drejtoria e Tatimeve
Publikuar më 2011-12-02 17:14:43
Dhunohen gazetarët e emisionit ‘Alarm’ në Ora NEWS në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Incidenti ka ndodhur gjatë mëngjesit të ditës së premte kur gazetarët e ‘Alarm’ kanë kërkuar që të marrin informacion në lidhje me një çështje, të cilën po pasqyronin në këtë emision dhe që kishte të bënte me pajisjen me kupona tatimor. Sipas kryeredaktorit të këtij emisioni, Eljo Laze, dhuna e ushtruar ndaj gazetarëve ka qenë e pajustifikueshme. Pas ngjarjes, gazetarët kanë bërë edhe kallëzimin penal në Policinë e Tiranës. Emisioni ‘Alarm’ që prej disa kohësh po investigon mbi çështjen e pajisjes së bizneseve të ndryshme me fatura dhe kasa fiskale. Ndërkohë që konstatimi i fundit nxori në pah se ligji nuk zbatohet as në disa prej institucioneve më kryesore në venm, siç janë ministritë, dhe nga ana tjetër organi përkatës për këtë, Drejtoria Tatimore nuk merr asnjë masë./ora-NEWS
Si rasti i mësipërm kemi me dhjetëra në Shqipëri. Gazetari është ‘gladiatori’ apo ‘ushtari më i rrezikuar’ në këtë rast. Ai në shumicën e punimeve që bën gjendet midis zjarresh, pasi nga njëra anë i duhet të gjejë lajm për të sulmuar ‘kundërshtarë’ të medias, e nga ana tjetër nëse nuk e bën këtë apo aq më keq përgatit një lajm që direkt apo tërthorazi godet mbështetësit e medias i duhet të përballet me problemet në marrëdhënie me vendin e punës që në rastin më të keq e gjen veten të papunë.
Mungesa e ligjeve, politika jo e favorshme dhe njerëz me pushtet kanë qenë gjithmonë një minus për gazetaret.  Në vend që të ishin një mbështetje,ata i kanë konsideruar gazetarët si njerëz nga të cilët duhet pasur frikë dhe jo si bashkëpunëtorë për zbardhjen e problemeve të ndryshme.      
Shumë investigime janë filluar dhe pastaj gazetarët kanë heshtur, madje pa arsye, frika, kërcënimi i familjeve të tyre dhe dhuna e drejtpërdrejtë kanë qenë faktorët që kanë bërë që shumë investigime të mbyllen pa u zbardhur. Shumë gazetarë kanë përfunduar në gjykata si pasojë e mungesës së ligjeve për mbrojtjen e tyre. Këto dhe shumë faktorë të tjerë kërcënues kanë bërë që shumë gazetarë të stepen përpara se të marrin përsipër një investigim në Shqipëri.[12]
Siç duket qartë nga gjithçka që shpjeguam më lart Mediat janë të varura ekonomikisht nga faktor të jashtëm. Shumica e subjekteve mediatike në Shqipëri janë hapur nga biznesmenë ose individë politikë me qëllim mbrojtjen e biznesit në opinionin publik apo të imazhit partiak në rastin e dytë. Kësaj i shtohet edhe marrëdhënia Biznes – Politikë e cila sërish e çon ndikimin e saj edhe në mediat që janë të lidhura me të paktën njërën palë.
Pra me pak fjalë, kur gazetari të nisë punë në mëngjes duhet të ketë të varur në mur listën e prioriteteve në gjetjen/gjurmimin e lajmit, selektimin dhe interpretimin e tij; mënyra se si do të trajtohet dhe çfarë do të kihet parasysh që gazetari të mos prekë ‘në dërrasë të kalbur’ e të prekë interesat e ‘paprekshme’.
Strategjia që ndiqet për mënyrën se si do të serviret informacioni gjithnjë ndikohet nga ‘Dora e Fortë’. Duhet të themi se çdo material i publikuar kalon “kontrollin e cilësisë” pasi do të prishte mjaft punë nëse do të godiste ‘Thembrën e Akilit’ që në rastin tonë do të ishte një prej zonës së interesit të ‘Të Fortit’. Autocensura shpeshherë diktohet mjaft shpejt edhe nga qytetarë të thjeshtë që arrijnë të ndjekin përditshmërinë. Në momentin që diktohet një mangësi në detajet e informacionit, besueshmëria e asaj medie nis lëkundjen.
Po a mbrohen gazetarët investigativë në Shqipëri? Në Shqipëri nuk ka ligj për mediat dhe si pasojë as rregullime ligjore për mbrojtjen e gazetarëve. Kjo pasi ligji për mediat audio- vizive nuk ka kaluar në Parlament pasi kërkon 3/5 e votave dhe ndonëse egziston nuk ka hyrë në fuqi. Ndërkohë që mungon plotësisht një ligji për median e shkruar. Në këto kushte gazetarët investigativë mbrohen vetëm nga shoqatat vendase apo ato ndërkombëtare të gazetarëve.[13]

RRETH EMISIONIT ALARM
Alarm që mund të quhet relativisht emision i ri është një emision satirik investigativ që transmetohet çdo ditë në orët e mbrëmjes në kanalin me karakter informativ Ora NEWS dhe në kanalin e ri Channel 1. Gjithçka mund të nisë me një telefonatë nga qytetarët në numrin e telefonit 0694000031.
Gjuha e përdorur është shumë e thjeshtë e përditshme pa ndonjë tekst të paracaktuar se me ç’fjalë do ta shprehin një problem. Ajo që është e caktuar është pika ku do të godasin, strategjia se ku duhet ta prekin problemin. Përdoret muzikë sipas problemit që transmetohet. Duke qenë se Drejtori i emisionit Alarm në RTV ORA NEWS është Armir Shkurti, i cili ka qenë kryeredaktor i emisionit Fiks fare në Top Channel, pothuajse kemi një mbartje të temave të problematikës ashtu si në emisionin investigativ Fiks Fare. Ndryshe nga formati i Fiks Fare mjaft i përfolur në faqet sociale për shkak të “lidhjes pa lidhje” me prezencën e dy vajzave të “veshura zhveshur” (sipas një komenti në një video të ngarkuar në youtube) që kërcejnë thjeshtë për të fituar ca shikues më shumë, formati i Alarm është i ideuar ca më thjeshtë.

Dy prezantues emisioni, një tavolinë e kuqe makinë me dy fenerë (ekrane Flat TV – ku shfaqen makina që ecin me shpejtësi në superstradë dhe simbolizojnë shpejtësi në gjetjen dhe investigimin e problematikës) që hapen e mbyllen, një sirenë alarmi që bie pas çdo suksesi në zgjidhjen e një teme të caktuar. Drejtuesit e emisionit tregojnë kujdes që sirenën ta përdorin vetëm pas një zgjidhje të një halli publik në sajë të tyre. instaluar në tavolinën e kuqe në formën e makinës së kuqë që ndjek çdo shqetësim publik të mundshëm. alarmi përdoret dhe si shenjë e fuqisë që ky program dëshmon në zgjidhjen e problemeve të popullit. Them hallet e popullit sepse çdo investigim i këtij programi iniciohet nga telefonata apo kontakte me qytetarët. Dialogët e dy prezantuesve Anja dhe Armir Shkurti (më parë prezantonte Elio Laze) kanë një ngjashmëri në mënyrën se si trajtojnë çështjet në Fiks Fare, ku njëra palë tenton të bëjë herë-herë avokatin e burimit të problematikës në mënyrë satirike tejet të hapur. Duke qenë se Armir Shkurti është produkt i emisionit Fiks Fare i vajtur më pas në emisionin alarm duket që në shumë mënyra të trajtimit të informacionit është pothuajse e njëjta formë.
Pavarësisht se në mënyrën se si do të kanalizohet një problematikë planet janë mëse të paravendosura, dialogët në studio ndërmjet dy prezantuesve vijnë pa ndonjë tekst të shkruar enkas. Pra të folurit spontan duke ndjekur një vijë logjike janë karakteristikë e programit.  Në hapje të programit spoti është përgatitur me një makinë të kuqe Porsche që shëtit me shpejtësi marramendëse nëpër rrugë që nënkupton vëzhgimin e çdo aspekti social në kohë reale. Po ashtu përdoret edhe një spot me një makinë të kuqe avion, ku sërish vihet në fokus shpejtësia e zbulimit të lajmit mbi lajmin.  
Deri më tash janë bërë qindra emisione dhe temat e trajtuara janë tema me ndikim social që nisin nga gropat në rrugë e deri te problemet e qytetarëve në institucione publike. Ky emision duke qenë se është i ideuar që të transmetohet çdo ditë, del disi nga ligji kryesor i gazetarisë investigative. Për këtë program nuk është e rëndësishme nëse lajmi është “një pusetë e hapur” apo një rimorkio e braktisur prej vitesh një rrugë. Çdo lajm për të që përbën një problematikë është e mirëpritur. Çdo ditë gazetarëve të hapur dhe të fshehtë të alarmit u duhet të bëjnë një punë të shpejtë duke krijuar një nxjerr urgjencë në informacion. E duke qenë kështu gazetaria e emisionit Alarm i afrohet disi asaj të përgjithshme më shumë se investigative. Por ajo që e veçon gazetarinë investigative të Alarm është se në momentin e daljes së një problematike dihet që ajo çështje parashikohet të zgjasë, prandaj transmetimi i saj ndahet në pjesë dhe çdo ditë transmetohet një zhvillim i asaj teme. Kështu që investigimi sërish arrin parametrat e parashikuar të vëzhgimit dhe hetimit të ngjarjeve e problematikave. Një element i mangët që vihet re lehtë tek Alarm është “Lajmi te pragu i derës”. Në raste shumë të rralla Alarm kalon kufirin e Tiranës për të pasqyruar një problem të zonave ose qyteteve të tjera në Shqipëri ose një problem mbarëkombëtarë.  Një tjetër gjë fenomen që vihet re tek ky program është përsëritja e gjërave disa herë, qoftë pamjeve, temave, problematikave që shihet se nuk gjejnë zgjidhje. Kemi një insistim të Alarmit për tema të caktuara ku shihet rezistencë nga ana e burimit të problematikës, që mund të jetë një kompani, një institucion,  apo një person VIP.   
Duke qenë se kam qenë një vëzhgues mjaft i përpiktë i këtij emisioni do të doja të rreshtoja disa nga problematikat që janë shtruar në Alarm:
-          Problemi i mosdhënies së faturave apo problemi “Duty Free” brenda ministrive: Janë vizituar shumë ministri (Ministria e Bujqësisë, Ministria e Bredshme, Ministria e Punëve të Jashtme, ministria e shëndetësisë, kuvendi, etj. Dhe në barin e asnjërës prej tyre nuk jepej kupon. Në të njëjtin program trajtohet “Vendosja e kasave fiskale” edhe në tregjet e mbyllura, ku sipërfaqet e tregtarëve janë shumë të vogla. Bëhet krahasimi ku tregjet kanë me detyrim blerjen e kasave dhe baret e ministrive nuk e kanë.
-          Çështja e mbrojtjes së zonave turistike antike, Kalaja e Zgërdheshit ku gurët antikë përdoren nga fshatarët për nevoja të tyre si gurë të zakonshëm.
-          Shitja në rrugë e gjizës, djathit nga fshatarët. Alarm ngre problemin pse i lejon shteti këta fshatarë të shesin produkte pa datë skadence. Bëhet ballafaqim me MBUMK, dhe kërkohet shkaku pse nuk e monitoron ministria. Shprehet me satirë se ministria nuk mund të çojë inspektorin çdo ditë. Nga ana tjetër jepen taksat që minibashkia u vë shitësve të produkteve të tekstilit dhe ku këta të fundit i paguajnë. Jepet më pas mesazhi “qytetarë, merruni vetë me kontrollin e gjizës. Shteti nuk mund të kontrollojë gjithçka për ne. Prandaj qytetarët rrinë se rrinë, le të bëjnë një punë.”
-          Problemi i sahatit të Tiranës. Iku Edi Rama dhe sahati u prish. Pas disa emisionesh Alarm transmeton sahatin tashmë të rregulluar për shkak të raportimit të tyre.
-          Kutia e ndihmave ku mblidhen lekë në Postën shqiptare për të përmbyturit e Shkodrës. Posta Shqiptare nuk u jep përgjigje. Sipas prezantuesve insistimi i gazetarëve bëri që Alarmin ta shpallin “Non Grata”. (Por këtu kemi të bëjmë me një arrogancë të gazetarit me punonjësen e insitucionit.) Prish marrëdhëniet me të gjithë përfaqësuesit e institucionit, edhe me Arqile Gorenë. Të gjithë i mbyllin derën në raste të investigimit të problematikave. Në raste investigimesh mund të ketë edhe rast abuzimi nga vetë emisioni por për hir të principit të “Injorimit”.
-          Trajtimi i rastit të Sekserëve te Posta Shqiptare me kamera të fshehtë.
-          Hetohen autobusët e tejmbushur të kinostudio-kombinat në orët e mëngjesit. Njerëzit presin shumë, autobusët janë jocilësorë. Gazetari i Alarm vazhdimisht u thotë udhëtarëve “u konservuat”. Problematika e dhënë është mosvendosja e autobusëve të mjaftueshëm në oraret që njerëzit ikin në punë.
-          Problemet me përmbytjet e ujërave në raste shirash edhe të vegjël për shkak të infrastrukturës me probleme.
-          Shitjet e paligjshme nga tregtarë ambulantë tek Spitali ushtarak. Këtu gazetari shet banane dhe përdor edhe batuta të tilla si shitje protezash gjuri, sy falsë, ilaçe çfarëdo,etj.  
-          Bashkia e Tiranës (koha e kryetarit të ri Basha), ministri të ndryshme nuk u japin shpjegime për problemet që u përkasin atyre institucioneve.
-          Problemet ekonomike të ish të dënuarve të komunizmit dhe raste të varfërisë ekstreme të tyre. Kryetari i PDM Fatmir Hoxha akuzon se shteti nuk ka interes për këta njerëz që nuk janë pak. Ai akuzon Bashkinë dhe Lulzim Bashën.
-          Uji i pijshëm, sa i sigurtë është ai: Është marrë në intervistë z. Sait Dollapi, që komenton që uji i (liqenin dhe impiantit të) Bovillës është brenda të gjitha standardeve. 
-          Sekserët e hipotekave në Berat.
-          Plehrat e Paskuqanit. Intervistohet kryetari i komunës Paskuqan Fatos Rexha. Hedhja e mbeturinave në Paskuqan krijon ankesa të qytetarëve të Paskuqanit.  Nënvizohet mosreagimi apo mospasja e dijenisë nga ana e autoriteteve përkatëse, pasi Kryekomunari Fatosi “nuk dinte gjë”.
-          Kritika planit të qendrës së qytetit të Tiranës. Emisioni Alarm tregon se si ka qenë dhe se si është bërë. Përveçse qendra pas gjithë atyre punimeve nuk ka marrë një fytyre dhe aq të re, tashmë qytetarët ndeshen edhe me pengesa për të kaluar nga njëra anë e qendrës në tjetrën. Këmbësorët që shkurtojnë rrugën dhe hapin “rrugë dhie”(shprehja ime) për të kaluar nga xhamia drejt Rrugës së Elbasanit.
-          Muzeu i Gjergj Kastriot Skënderbeut s’ka asgjë origjinale. Drejtori i Muzeut në Krujë Mehdi Hafizi ndërpritet shpeshherë nga gazetari gjatë tregimit të historisë për të marrë shpjegime rreth sendeve që janë në muze që në fakt janë  objekte të imituara historike dhe janë thjeshtë simbolike.
-          Galeria e Arteve dhe një tufë me skulptura që nuk janë mirëmbajtur dhe janë vënë pa kujdes në mes të shumë gjërave pa vlerë.
-          Gazetarët mundohet të hetojnë shkakun e daljes së policisë rrugore në postbllok të organizuar fuqishëm, ndërkohë që sipas prezantuesve të alarmit kemi shumë krime e vjedhje që tregojnë mungesë gatishmërie nga ana e shtetit për të ofruar për qytetarin siguri. Tek kolaudimet nuk lejohen që të xhirojnë me kamera në ambiente të brendshme. Kolaudimet sipas qytetarëve të intervistuar janë të papërgjegjshëm. Anja bën gjoja avokatin e punonjësit duke thënë se “ai merret me popullin e papërgjegjshëm”.
-          Hetohen kërkesat e shumta për azil jashtë shtetit. “Shteti ynë po zhvillohet me hapa galopontë se kështu thotë kryeministri. Pse nuk e dëgjojnë kryeministrin qytetarët që kërkojnë azil jashtë”. Elio: “Të shkosh në Zvicër para Shqipërisë është turp i Zotit”.
-          Shkolla e Kamzës. Denoncuesi Kujtim Klosi: shkolla nisi në 2005’ën më pas në 2006 u ndërprenë punimet sepse nuk janë dhënë lekët e tokës. Qytetari: “Zgjedhjet i bëjnë që të vijnë dhe më pas zhduken. 500 – 600 nxënës çdo ditë ikin me makina nëpër shkolla të largëta dhe ka shumë raste ku nxënësit janë shtypur nga makinat gjatë kësaj rruge”. Ndërkohë që kryetari i bashkisë Xhelal Mziu mbushi 4 vjet dhe s’është bërë gjë ndërkohë që u premtua për 3 muaj të bëjë shkolla. Pasqyrohet Vendimi i Këshillit të ministrave për shpronësimin e truallit ku po bëhet shkolla. Jepen kritika tek bashkia e Kamzës që hesht dhe nuk jep asnjë përgjigje. Disa ditë me radhë kërkohet të merret përgjigje. Merret në telefon kryetari i bashkisë së Kamzës dhe Xhelal Mziu. Kryetari i bashkisë i thotë gazetares se me këtë çështje merret ministria dhe jo bashkia por megjithatë gazetarja ngul këmbë se është përgjegjësi e bashkisë. Bashkia e drejton tek drejtoria Arsimore e Kamzës. Më pas zbulohet se buxheti duhet përballuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Përgjegjës i Sektorit të Investimeve të MASH Ali Haziraj jep shpjegime rreth fondeve. Një dokument  i nënshkruar nga kabineti dhe vetë kryeministri quhet “Shkresurinë” në mënyrë alegorike nga Anja.
-          Video të kryeministrit ku premton rrugë dhe ura që do ndërtohen çdo ditë, javë dhe muaj. Kjo trajtohet me alegori nga prezantuesit e emisionit.
-          Alegorizojnë Edi Ramën duke thënë se ai ka bërë operacion gojën dhe jep pajme të qëllimshme ku Edi Rama rrudh buzët. Këtu jepet një mesazh që Edi Rama nuk jep përgjigje për gjërat që është pyetur.
-          Trajtohet çështja e Gërdecit pas 3 vjetësh. “...Çudia më e madhe 3 ditë zgjat. Tre ditë si tre vjet”. Denoncohet se ka fabrika të tjera demontimi në të gjithë Shqipërinë.
-          Trajtohen bustet e Sulejman Pashës pa emër, Avni Rustemi, vëllezërit Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri pa mirëmbajtje. Shtatorja e Nene Terezës pa emër.
-          Komuna Prezë – ankesa e qytetarit për një pellg uji që i rrezikon fëmijët. Drejtoria e infrastrukturës, hekurudha Shqiptare premton se ky problem do të mbyllet brenda pak javësh. Ndërmarrja shprehet se ka vështirësi ekonomike madje s’ka marrë as rrogat, prandaj është e vështirë që të veprohet për hapjen e tunelit shkarkues tek hekurudha.
-          Avokatit të popullit, i dorëzohet një kërkesë nga një i burgosur që keqtrajtohet në burg. Ervin Karamuço, drejtor i parandalimit të Torturës tek Avokati i Popullit ndihmon këtë çështje. Ky rast përshëndetet me një sirenë alarmi me ndërhyrjen e Avokatit të popullit.
-          Alarm denoncon se brenda kabinave elektrike banojnë endacakë ose persona shumë të varfër. Ata të elektrikut të CEZ shpërndarjes e dinë këtë. Vihet në dukje që këto kabina janë me dyer të hapura dhe të pambrojtura fare. Në çdo çast mund të kërcënosh sigurinë e energjisë elektrike të qytetarëve. Alegorikisht shoqërohet me këngën “as rrufetë s’më vrasin dot se ka një Zot”.

RASTI I VEÇANTË
SI E TRAJTON PARADËN LGBT EMISIONI ALARM DT. 17 MAJ 2012
Më datë 17 Maj 2012 emisioni alarm transmetoi një material të përgatitur enkas për temën e ditë “Paradën Gay”. Sigurisht që në zgjedhjen e temës nuk kishim asnjë surprizë, që do të thotë se të gjitha mediat atë ditë ishin krejt të  parashikueshme se çfarë ngjarje do të fusnin në “rrethin e kuq” (temën) e ditës.
            Ajo që më bëri të trajtoj këtë temë ishte mënyra e trajtimit të kësaj çështjeje. Emisioni i 17 Majit kushtuar paradës gay bën një lidhje me komedinë pallatin 176. Emisioni nis me një pjesë nga kjo komedi, ku dy personazhet kryesore Fredi dhe Elsa flasin rreth 17 Majit, datë kur ishin njohur, që rastësisht përkon me datën 17 Maj të demonstrimit të komunitetit LGBT. Kur Fredi tenton të thotë se ç’është 17 Maji në dialog futet videoja e Kristi Pinderit që i përkiste intervistës së asaj dite ku shpjegon rreth kësaj “dite të shënuar për komunitetin”. Pra në sekuencën e dhënë nga Pallati 176 kemi tregohet lidhja tradicionale (heterogjene) mes dy gjinive (Fredi dhe Elsa) që jep mesazhin dhe goditjen e parë për këtë aktivitet. Më pas kemi mesazhe të vazhdueshëm satirik dhe goditës që nga “kënga e Dylberave” nga Isuf Myzyri, nga mospërfaqësimi qeveritar apo i politikës në këtë aktivitet por nga ambasadorët Arvizu dhe ambasadori i Holandës, madje edhe gay të ardhur nga vende të ndryshme të botës dhe shumë pak nga shqipëria; Duke u përdorur edhe kushtetuta dhe e drejta e popullit për të protestuar, thonë “Ç’duan ambasadorët që përfaqësojnë diçka të popullit tonë s’dihet”. Një nga prezantuesit e emisionit pyet: “pse nuk u shfaq politika në këtë aktivitet. Aty ishte edhe ambasadori Amerikan pse nuk del edhe ndonjë përfaqësues nga qeveria. Rama ka patur një flamur të ngjashëm pse s’doli?”. Nënvizohet se ky fenomen mendohet se është sjellë për herë të parë në Shqipëri nga ky grup por të tillë njërës kemi edhe në mes politikanëve.  Në këtë aktivitet asnjë i pranishëm VIP nuk tenton të hapë flamurin LGBT. I mëshohet faktit që aty ndodhja e tyre është “sa për sy e faqe”. Në vazhdim intervistohen burra të vjetër dhe u kërkohet mendimi rreth paradës. Të shtyrë nga kureshtja ata vijnë e pyesin se çfarë po ndodh dhe në momentin që marrin vesh rreth temës së aktivitetit largohen me ndonjë koment të shkurtër tradicional. Në këtë program i është dhënë një vend i rëndësishëm Fatjonit – apo Anxhelës të veshur si gjithnjë keq, intervista që jep është me mjaft nënkuptime. “Të tjerët nuk erdhën sot sepse ndjehen të rrezikuar dhe të diskriminuar”, komenton Anxhela.
Pjesa e dytë e emisionit shtron pyetjen: Po a janë vërtetë kaq të diskriminuar këta njerëz? Dhe për të dhënë përgjigjen janë marrë disa intervista ditën dhe natën të personave që prostituojnë në qendër të qytetit dhe që i përkasin këtij komuniteti. Gazetari i Alarm kryen 3 reportazhe që vënë në qendër pazarllëqet me prostitutë travestitë në qendër të qytetit. Dialogjet bëhen pa asnjë rezervë, pavarësisht se gazetari ishte një njeri i huaj për prostitutat. Pas kësaj videoje komenti i Shkurtit në këtë rast ishte: “Shikoni sa të lirë janë këto njerëz në mes të natës”.
Në vazhdim jepet parada me biçikleta ku u hodhën dy –tre kapsolla që në opinionin publik zunë më shumë vend së sa vetë parada. Alarm këtë fakt ka preferuar ta ilustrojë me pamje të hedhjes së raketave, shpërthime të artilerisë së rëndë apo lëndë shpërthyese ushtarake.
Ai që do ta quaja thelbin e këtij materiali të përgatitur është se alarm para 107 ditësh kanë nisur një investigim të problematikës në lidhje me dhënien e shpërblimit të lindjes.  Në lidhje me këtë çështje alarm ka përgatitur dy materiale video, një në ministrinë e Punëve të brendshme dhe një tjetër në Drejtorinë e Gjendjes Civile. Në të dy institucionet sërish nuk merret përgjigje, sërish heshtje ose sorollatje. Drejtori i departamentit të gjendjes civile refuzon përgjigjen me intervistë apo me shkrim, dhe kërkohet kërkesë me mail ose me shkrim ku përgjigja jepet me mail brenda 40 ditësh.
Këtu kemi edhe thelbin e produktit të këtij emisioni të datës 17 Maj 2012, ku Alarm krahason çështjen e komunitetit LGBT që gjen zgjidhje edhe pa një kuadër ligjor, ndërkohë që liria e marrjes së informacionit e përmendur në nenet 22 dhe 23 të kushtetutës mohohet për një çështje kaq të rëndësishme me impakt publik siç është shpërblimi i lindjes.
Shpeshherë emisioni Alarm e përsërit të drejtën e marrjes së informacionit, pasi janë me dhjetëra çështjet që ky emision satirik investigativ nuk merr një përgjigje, u mohohet kjo e drejtë. Këto pengesa nuk vihen në ambientet apo pronat private të personave përgjegjës të institucioneve por në institucione mjaft publike.
RASTI ABUZIV
Por jo të gjitha temat e trajtuara në Alarm janë pjesë e problematikës së shfaqur nga individë të prekur nga problematika. Në disa raste të evidentuara nga burime të sigurta, emisioni bëhet trumbetë e pronarit të saj, i cili duke qenë i vetëdijshëm për fuqinë e medias tenton të zbulojë dhe pasqyrojë në media probleme të kundërshtarëve të tij në politikë dhe biznes. Praktikat e deritanishme tregojnë se fushatat kundër individëve, kompanive, individëve të caktuar nga partitë politike kanë vazhduar në raste specifike edhe për muaj me radhë. Në shumë raste të tilla kemi edhe ripërsëritje të vazhdueshme në mënyrë periodike të të njëjtit informacion, jo sepse problemi që merr nën shqyrtim emisioni nuk po merr zgjidhje, por tendenca e pronarit nuk ka gjetur prehje dhe problemi që pronari kërkon të zgjidhë nuk ka marrë udhë të mbarë ende. Një fushatë që unë kam ndjekur me shumë kujdes e vëmendje ka qenë ajo kundër kompanive Albtelecom dhe Eagle Mobile, ku gazetarët e emisionit Alarm të detyruar dhe të kërcënuar për të bërë punën e tyre prej zbuluesit, janë përpjekur të gjejnë dhe trajtojnë me mjeshtëri problematika të dy kompanive në favor të interesit të pronarit për të shtuar “dhjamin e buxhetit të reklamës” nga këto dy kompani. Burime të brendshme gazetareske bëjnë të ditur se pjesëtarët e stafit të alarm ndjehen të pafuqishëm në raste kur shfaqet çështja e favorizimit të interesit të pronarit. Ky emision në mënyrë të vazhdueshme dhe të shpeshtë ka transmetuar me plan të paracaktuar një herë një problematikë të Albtelecom dhe një herë tjetër për Eagle Mobile. Aq e hapur dukej kjo fushatë saqë në raste të veçanta emisioni binte në grackën e gafave teknike, në grackën e përsëritjes së të njëjtit informacion sikur të ishte diçka krejt tjetër. Krahas kësaj, kamerat profesionale apo të fshehta të emisionit Alarm kanë cenuar disa herë ambientet e brendshme të dy kompanive duke u drejtuar për të marrë përgjigje të problematikave edhe të stisura në vende ku edhe vetë gazetarët e dinin fare qartë se nuk ishte ai vendi ku duhet të drejtohet.
Me kamerat e fshehta të emisionit Alarm edhe në raste dialogësh krejt normale dhe pa ndonjë produkt investigativ duket sikur aty po ndodh diçka shumë e veçantë, diçka që i gjithë publiku e pret me ankth, diçka që do të ishte çelësi i çdo përgjigjeje. Raste të tilla kemi me Postën Shqiptare, me kompani të ndryshme, me ministritë apo institucione shtetërore. Në momentin kur u refuzohet e drejta e takimit apo intervistës në një institucion apo kompani dhe u kërkohet që të lihet një takim zyrtar me një kërkesë zyrtare për shkak të angazhimeve që institucionet apo kompanitë mund të kenë problematika nis e bëhet më e madhe se aq. Drejtori i emisionit Alarm Armir Shkurti dihet gjerësisht që mban kontakte me shumicën e personave ku dërgon gazetarë që tu bëjnë një pseudo-intervistë të rrufeshme, ndërkohë që ka patur shumë raste ku institucione dhe kompani të ndryshme u janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së gazetarëve investigativë në raste kur ka patur nevojë për sqarime publike të keqkuptimeve apo sheshimit të problematikave të stisura. 
Medias i duhet të mbajë një ekuilibër shumë të qëndrueshëm, që në fakt është shumë i brishtë, edhe me liderëve partiakë, apo Partitë politike, por edhe me bizneset ushqyese. Prandaj dhe gazetaria investigative i mat hapat shumë mirë kur hap një çështje.
GJENDJA E MEDIAS NË VEND
Partitë politike dhe vetë lideri partiak mban një marrëdhënie të mirë me median, që nënkupton një ‘Mbështetje e Ndërsjelltë’. Nga njëra anë kemi zinxhirin që kujdeset që informacioni të jetë sa më i përpunuar në përputhje me ‘pëlqimin’ e partisë anën e të cilës mbajnë; dhe në këtë zinxhir kemi pronarët – që kanë marrëdhënie direkte me politikën, drejtorët dhe kryeredaktorët e lajmeve që kontrollojnë çdo ‘specie të dëmshme imazhi’ për partitë; dhe më pas vijnë gazetarët ose më saktë ‘gladiatorët’ e  lajmit – të cilët i dinë mirë detyrat e tyre, veprojnë me mendjen e ‘Të madhit’ për hir të politikës. Pra Media ndihmon Liderët e Partive Politike, të cilët njehsohen me Partitë Politike, për të ruajtur të pastër ekuilibrin “Ajo që ndodh – Ajo që thuhet”. Në këmbim të këtij shërbimi të devotshëm të medias, kjo e fundit kërkon nga politika dhe lideri partiak mbështetje si financiare ashtu edhe privilegje e ndihmë ligjore, etj.  Media ndihmon Liderët e Partive Politike, të cilët njehsohen me Partitë Politike, për ekuilibrin “Ajo që ndodh – Ajo që thuhet”. Në raste kur Media tregon tendencë dhe guxim të prekë me vetëdije interesat e Lidershipit dhe Forcës Qeverisëse kemi patur edhe ndëshkime. Të mirëmenduara ose jo, këto ndëshkime janë bërë nën pretekste të ndryshme. Mund të përmendim rastin e gjobitjes së Top Channel në 2004 dhe përpjekjet për ta zhvendosur këtë televizion që prekte interesa qeveritare nga vendndodhja, Qendra e Kulturës. Kemi edhe rastin e gazetës TEMA, që u nxor me forcë nga redaksia e saj nga forca të shumta policie. Gjersa më vonë gazeta Tema u detyrua të mbyllte botimet e saj.
Shumë gazeta janë të “të ushqyera” vetëm për t’i shërbyer mirë politikës. Kur shohim panoramën aktuale të medias vëmë re që gazeta Shekulli thuajse ka qenë vendin e Zërit të Popullit në mbrojtjen e të Majtës, Gazeta 55 dhe RD janë ‘gazetat-motra’ me lexues të paracaktuar ‘militantët e betuar’ të cilët e kanë ushqim shpirtëror lajmin e servirur të filtruar deri në palcë;  më pëlqeu krahasimi i një analisti për televizionin ‘Klan’ i cili e quante ‘TVSH private’. Aq shumë bie në sy njëanshmëria e lajmeve të këtij kanali saqë edhe vetë Rama i vuri ambargo përgjigjeve ndaj këtij kanali duke u mjaftuar vetëm me shprehjen ‘Të fala Sandrit’, duke nënkuptuar pronarin e TV Klan Aleksandër Frangaj. Çdo lajm i së majtës kthehet gjithnjë në disfavor të saj. Ndërsa Top Channel pavarësisht se posedon pllakatën e ‘mbështetësit të së Majtës’ mundohet ta mbajë më të mbuluar këtë pllakatë. Por gjithsesi nuk duket se po ia del dot.
Partitë politike duke ditur se media është mbështetës i pazëvendësueshëm dhe thelbësorë për ekspozimin në publik; por duke njohur mirë edhe karakterin e lëkundur sipas interesit në një anë politike të medias dhe të qenit ‘Pjesërisht të paparashikueshëm’ të saj dhe me tendencë drejtë pavarësisë, ka zhvilluar mekanizma të ndryshme për ta mbajtur nën kontroll dhe ky proces mund të konsiderohet i suksesshëm për ta deri më sot.
Politikanët ndikojnë Opinionin Publik me mbështetjen e Profesionistëve që menaxhojnë Median, për të pasqyruar “Vlerat” me anë të lajmeve dhe informacionit të vlefshëm.
Analistët, që janë një produkt mediatiko-politik, në Shqipëri kanë një vend të veçantë në formëzimin e opinionit publik. Ata janë komentues të ngjarjeve politike në media, bëjnë analiza të bazuara dhe tregojnë sondazhe. Ato gjëra që politika do që t’i thotë por nuk preferon t’i thotë për shkak të nivelit të ulët të besueshmërisë, i bën nëpërmjet analistëve. Funksioni i tyre është ruajtja e sistemit politiko-mediatiko-ekonomik dhe ata janë shumë të përshtatshëm për t’u përdorur nga Liderët dhe Partitë Politikë për shkak se janë ekonomikisht të varur.
Nga ana tjetër politika ndikon edhe në edicione lajmesh me njoftim për shtyp; media u siguron atyre në bazë të lidhjes së ndërsjelltë intervista në TV e Gazeta; Një tjetër mbështetje që media i jep politikës është edhe transmetimi ‘Direkt’.
Një pikë e rëndësishme e mbështetjes së medias për politikën është edhe ‘Demonizimi i figurave përballë’. Gjetja e pikave të dobëta të kundërshtarit dhe publikimi i tyre. Rasti i ish-ministrit Ylli Pango mund të konsiderohet i tillë.
Ndikimit që ka politika në Besueshmërinë e medias nuk i kushtohet vëmendje nga politika. Pra për të nuk është dhe aq e rëndësishme nëse lëkundet ose jo besueshmëria e një medie, pasi në fund të fundit këtë duhet ta mendojë vetë media. E nëse e sheh që lajmet politike e kanë lëkundur këtë besueshmëri për politikën është e lehtë caktimi apo gjetja e një tjetër partnereje me parametra më të mirë në opinion publik. Ajo që ka rëndësi për politikën është ‘nënshtrimi’ i asaj medie në momentin që politika dëshiron ta ketë ‘Megafonin’ e saj për të dhënë një mesazh në publik.
            Nga ana tjetër edhe biznesi ka ndikim të gjerë në mediat shqiptare. Në parim të heshtur asnjë organ mediatik nuk ka të drejtë ‘moralisht’ të shajë apo keqpërdorë imazhin e një produkti të një kompanie. Nga ana tjetër edhe kompania është e devotshme në sponsorizime në media që janë investime direkte për këto organe mediatike. Marrëdhënia mes medias dhe biznesit është më në terma të barabartë se sa me politikën. Nëse ndodh që një aktor i medias të njollosë imazhin e një produkti apo kompanie me ose pa të drejtë, atëherë kompania ose tkurr marrëdhëniet me të ose kupton që ka ardhur koha që të paguajë më shumë për ta pasur imazhin e pastër në këtë media. Nga ana tjetër nëse një kompani tenton të shkurtojë apo pakësojë buxhetin për një media duke shkaktuar kështu pakënaqësi, pritet që kjo pakënaqësi të shndërrohet në sulm mediatik në pikat e dobëta të kompanisë, gjetjen e të cilave mediat e kanë në profesion.
Edicionet e lajmeve shpesh mbushen me minutash që promovojnë aktivitete të bizneseve të ndryshme që sipas nesh, pra gazetarëve, edhe përbëjnë edhe s’përbëjnë lajm. Po sa vlerë mund të ketë për shikuesin promovimi i një llotarie i një kompanie ku kjo e fundit dhuron nje makinë, celular apo çfarëdolloj produkti tjetër? Në fakt kohët e fundit edhe pse në pakicë, ekzistojnë media që promovime të tilla nuk i bëjnë edhe pse kanë presionin e biznesit. Megjithatë, ofrojnë mundësinë e një lajmi promocional me pagesë, i cili do të botohet ose transmetohet si i tillë.  Shembuj: gazeta Shekulli, gazeta Shqip (e cila e cilëson me titull ‘Lajm Promocional’ apo Breaking Views) dhe Top Channel.
“Ndërhyrja e kompanive të telefonisë celulare në media shërben si një shembull i mirë se si bizneset e mëdha ushtrojnë ndikimin e tyre në politikën editoriale. Këto kompani kanë arritur të bllokojnë pasqyrimin kritik për to si në median e shkruar, ashtu dhe në atë elektronike, edhe pse shqiptarët paguajnë tarifat më të lartë për celular në Europë.”[14]
Transparenca në mbi të ardhurat e medias është një temë debati mjaft e prekur nga specialistët si një gur themeli përsa i përket trajtimit të paanshëm të gazetarisë investigative. Kjo trajtohet mjaft qartë në një raport të Institutit të Medias të vitit 2010. Kjo temë sipas këtij raporti mbetet ende çështje enigmë dhe e padeklaruar nga pronarët e mediave dhe qëndron vazhdimisht një temë debati. Si është e mundur që nga 75 kanale televizive dhe media të llojeve të tjera asnjëri prej tyre nuk ka shpallur falimentin për shkaqe financiare?
Në të vërtetë pak media janë mbyllur ndër vite, ndërkohë që vetëm vitet e fundit janë hapur 4 – 5 televizione. Mosfalimentimi është një trend i qëndrueshëm jo vetëm i medias shqiptare por edhe i biznesit shqiptar.  Nga afro 30 tituj gazetash, asnjë prej tyre nuk është në gjendje të sigurojë të ardhura të barabarta me shpenzimet. 39 Abonimet mbeten tejet të ulëta, ku gazeta me tirazhin më të lartë, 23,000 kopje në ditë, ka vetëm 400 abonime.[15]
Për më tepër, përqendrimi i mediave të rëndësishme në gjithnjë e më pak duar mund të sjellë falimentimin e medias më të varfër lokale, kur përqendrimi i medias në kryeqytet të thellohet.[16]
Gjithashtu, bizneset paralele të pronarëve të medias janë një arsye tjetër për t’u shqetësuar. Ndërkohë që këto biznese ishin baza për investimet e mëdha të bëra në media, pronësia paralele e mediave dhe bizneseve të tjera bën që media të jetë e brishtë ndaj interesave ekonomike dhe politike. Duke pasur parasysh ekzistencën e një tregu pune kryesisht informal, që i vendos gazetarët në një pozicion të pasigurtë dhe i shpie drejt vetëcensurës, nuk është aspak e vështirë për pronarët e medias që ta përdorin median për qëllimet e tyre.
Kjo situatë përshkruhet kështu nga një analist: “Shumë prej mediave kanë vetëm një pronar, i cili zakonisht vjen nga fusha e ndërtimit, forca e ekonomisë sonë kapitaliste.
Sipas një analisti: “Media nuk është fitimprurëse, por në mënyrë të tërthortë duket si e tillë. Media bëhet fitimprurëse vetëm si një vegël për të marrë leje ndërtimi dhe favore të tjera nga qeveria. Me fjalë të tjera, në llogaritë e pronarëve bilanci i fundit është pozitiv.[17]



[2] http://www.propublica.org/about Journalism in the Public Interest
[3] Investigative Journalism Despite the Odds - http://www.journalism.org/node/231
[4] Info Arkiv – Arkiva mediatike shqiptare.
[5] Info Arkiv – Arkiva mediatike shqiptare.
[6] www.gazetastart.com – Analiza, “WIKILEAKS DHE GAZETARIA INVESTIGATIVE”, Alban_TARTARI

[14] IREX, “Indeksi për Qëndrueshmërinë e Medias,” 2009, f. 8.
[15] IREX, “Indeksi për Qëndrueshmërinë e Medias,” 2010, f.13.
[16] IREX, “Indeksi për Qëndrueshmërinë e Medias,” 2009, f. 12.
[17] FRIDE, Democracy Monitoring Report, Albania, 2010, www.fride.org

No comments:

Post a Comment