Unë e njihja Drilonin
Nga Shpendi GJANA
Kam disa ditë që përjetoj dhimbje nga humbja kushëririt tim, Drilonit, që ndërroi
jetë pak ditë më parë tragjikisht në fshatin Homesh, të komunës Shupenzë në
Bulqizë. Akoma s’kishte mbushur të 17-at (dhe jo 22 siç u tha në media) dhe
thuajse ishte në kohën për tu plotësuar dhe për të kaluar në moshën madhore. Njeri
i drejtë dhe me moral thuajse të plotësuar që njihej nga të gjithë me
buzëqeshjen që i ngjante të atit, të cilin e humbi 3-4 vjet më parë po
tragjikisht nga skamja.
Ai vinte nga një
familje tejet e varfër që të ardhurat mujore i ka nga mëshira e Zotit. Vedati,
vëllai i madh i Drilonit, 22 vjeç, kishte 4 ditë që ishte nisur për Itali për të
kërkuar një rrugëdalje nga skamja e kaq viteve.
E nis nga vetja,
nuk e ndihmuam dot Drilonin dhe familjen e tij. Nuk e penguam dot që ajo
familje të mos e humbiste dhe personin e dytë, dhe të linte edhe 5 pjesëtarët e
tjerë pa trauma të forta, ku vajza më e vogël që është vetëm 8 vjeçe ka qenë
dhe dëshmitare edhe e vdekjes tragjike të të atit me shpërthim eksplozivi...
Pjesëtarët e afërt të familjes që i bënë respektin e fundit kanë parë që
trupi i Drilonit ishte plot me shenja dhe dukej qartë se qe dhuruar keqas. Ky
presion psikologjik dhe fizik prej 18 orësh nga policë tejet të papërgjegjshëm
që ndyjnë uniformën e policit ka bërë që Driloni i drejtë të mbushë faqe të tëra
shpjegime. E sikur të mos mjaftonte është thirrur edhe ditën e dytë për 5 pulat
e detit. Drejtësia e këtij vendi është për tu “admiruar”, gjenden edhe personi
që vjedh 5 pula deti, mendoni se në “ç’Parajsë” jetojmë. Mirë që e gjejnë
fajtorin, por e gjejnë gabim! Megjithatë është vërtetuar krejtësisht pafajësia
e djaloshit të ndjerë, por që tashmë është tepër vonë.
Aq djalë i
turpshëm që skuqej edhe në biseda normale ishte Driloni, por jemi tepër vonë.
Tani të shohim se si do ta gjejë udhën e drejtësisë kjo çështje, që edhe po ta
gjejë do të jetë tepër vonë për familjen e djaloshit.
Po ky s’është rasti i vetëm. Ne
si shoqëri, kemi në mendje aq shumë fotografi të shëmtuara dhe të këqija të
rasteve të tilla, saqë shtyhemi të
mendojmë se lumturia dhe mirësia kanë mbetur jashtë nesh ngaqë e keqja është
ulur këmbëkryq dhe ka marrë të drejtën e fjalës në shumë aspekte.
Një bombardim i jashtëzakonshëm psikologjik e kulturor ka bërë që tashmë që
bërthama familjare të çorientohet, e individët kanë nisur të tregojnë sjellje
nga më të çuditshmet. Më thoni a keni kaluar ndonjë javë të qetë dhe pa habere
vrasjesh e përdhunimesh?! Më thoni ju lutem a keni bërë gjumë të qetë qoftë një
ditë në javë? Pra, çdo kallëp që fatkeqësisht na e servir edhe media me shumë
zell e që duket që ka pasoja shumë të mëdha në shoqëri, lë gjurmë të
parikuperueshme ose shumë të vështira për tu rikuperuar me në mendjen e secilit
prej nesh.
Në themelin e shumë prej këtyre
rasteve të krimeve shtrihet problemi i theksuar ekonomik dhe moral, probleme
shpirtërore dhe dalje nga boshti i stabilitetit shoqëror. Bëjmë gabimin më të
madh që çdo problem s’e nisim nga vetja, bëjmë shumë gabim që kërkojmë çdo
zgjidhje të na vijë nga të tjerët. Ta provojmë një herë të ndihmojmë njerëzit
në gjendje të mjeruar si nga ana ekonomike ashtu dhe nga ajo psikologjike, por
akoma s’ia kemi bërë Bismil-lah!
A nuk duam një
mjedis të lumtur, të dashur dhe gjithëpërfshirës? A nuk duam që ai i varfëri të
mos detyrohet të grabisë e të kryejë krim? E pra, le të ndihmojmë secili atë që
ka përreth! Le të duam për të tjerët atë që duam për veten. Le ta nisim dhe t’i
them të keqes “NDAL” që në embrion. Secili është i përgjegjshëm për secilin.
Sidomos ata që kanë mundësinë e kanë për detyrë ta rehatojnë këtë shoqëri, e të
mos i mbajnë milionat e qelbura në banka për të siguruar edhe nipërit e
nipërve, me frikën se nesër Zoti s’do t’ju japë riskun përkatës. Që Drilonët të
jetojnë, madje të jetojnë me dinjitetin e tyre, e të lumtur...
No comments:
Post a Comment